Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që PD të bashkojë votat me socialistët kundrejt SPAK e GJKKO.
Pavarësisht se e cilësoi SPAK-un si “prokurori politike” dhe ka deklaruar më herët se do ta shkrijë si institucion, Berisha theksoi se kjo gjë do të bëhet nëpërmjet një reformimi të drejtuar nga Komisioni i Venecias.
“Edi Rama përpiqet me propagandën e tij të krijojë një analogji të qëndrimeve të tij prej kryehajduti ndaj prokurorëve me qëndrimet tona. Jo, është krejtësisht tjetër.
Njëherë duhet të qartësoj shqiptarët, se kurrë kjo parti nuk do bashkojë votat me Edi Ramën për asnjë lloj mase ndaj sistemit të drejtësisë. Kjo parti ka platformë të qartë, ka shprehur qëndrimet e veta në bindjen më të thellë se Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të ketë prokurori politike. Po kjo nuk do bëhet në asnjë rrugë tjetër përveç Komisionit të Venecias.
Kjo do bëhet me reformim dhe në asnjë rast duke shndërruar grupin parlamentar në prokuror, as në avokat dhe aq më pak partia që pretendon luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, të bashkohet me cilindo qoftë në mbrojtje të korrupsionit”- deklaroi kryedemokrati.
Më tej pati edhe një reagim për praninë e rektorit të UBT-së në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ndërsa paralajmëroi Ramën se nëse ndodh sërish rrethimi i institucioneve të drejtësisë, protestuesit do të rrethojnë shtëpinë e tij në Surrel.
“Ai e shndërroi grupin e hajdutëve, se imagjinoni çfarë gëzimi kishte aty, Bushka në një anë, Lubia në anën tjetër, Taulanti në anën tjetër, Damiani atje ku ishte i ulur, Ulsiu kërcente nga gëzimi kur dëgjonte rektorin. Mor zoti Sallaku, a e kupton që u fute në strofullën e hajdutëve ti? Kujt i qahesh ti?
Pra, të gjithë këta janë të përfunduar. Këta janë të marrë fund dhe këta të mos kujtojnë kurrë se mund të kryejnë qoftë edhe veprimin më të vogël me mbështetjen e opozitës. E kundërta është. E paralajmëroj Edi Ramën, në rast se i lejon vetes të rrethojë institucionet, Surreli do i rrethohet”- shtoi Berisha. Versus.al








