Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në rrjete sociale gjatë një lidhje ‘direkte’ në rrjetin “facebook” dhe “Instagram”. *Përveç temave të tjera që u diskutuan në përgjigjet që ai dha drejt komentuesve, Rama foli sërish për SPAK-un duke theksuar se PS vijon mbështetjen, por shtoi se PD po përpiqet ta përdorë Prokurorinë e Posaçme si mjet sulmi nëpërmjet presionit që u bën prokurorëve. *Ndër të tjera, kreu i qeverisë përsëriti se socialistët janë garantët e vetëm të ekzistencës së SPAK tashmë që SHBA është larguar. Ndërsa shtoi se nëse do të ishte i shqetësuar apo i trembur nga SPAK, do të mjaftonte një shenjë për të bashkëpunuar me kryedemokratin Sali Berisha për shkrirjen e këtij institucioni.
"SHBA nuk reagoi për presionet", Rama: Po të doja ta shkrija SPAK-un, mjafton një fishkëllimë drejt bufit të kënetës
“PS është garancia e vetme për ekzistencën e SPAK”. Ky ishte mesazhi që përcolli kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit në rrjetet sociale me qytetarët.
Ai tha se ndryshe nga sa pretendohet se SHBA e ka nën kontroll SPAK-un, ekspertët amerikanë janë larguar nga institucioni dhe nuk pati reagim nga ambasada për deklarata të tij që BE i konsideroi si “presion” ndaj drejtësisë.
“Jemi para një fakti shumë të thjeshtë dhe dua që të gjitha ata që insistojnë që këtu janë të gjithë për burg, rroftë SPAK-u. SPAK është një institucion i krijuar nga vullneti i PS dhe sot e keni më të thjeshtë. Ata që thonë SPAK-un e solli Amerika se ajo do i fusë të gjithë në burg. Sa për dijeni, SHBA nuk është më këtu, i kishte njerëzit e vetë që e asistonin, por tashmë i ka tërhequr. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona, keni dëgjuar ndonjë deklaratë të SHBA për SPAK-un? Vetëm BE bëri një deklaratë për ato që quheshin presione”- u shpreh Rama.
Më tej deklaroi se nëse do të kishte në plan shkrirjen e SPAK-ut dhe nëse do të ishte i shqetësuar, do të mjaftonte t’i jepte shenjë kryedemokratit Sali Berisha.
“Por unë ato që thashë i them prapë dhe nuk i heq asnjë presje. Sepse bëhet fjalë për institucione të reja që kanë nevojë për kritika konstruktive. Këneta është e përbetuar nëpërmjet gojës së bufit që do ta shkrijë SPAK-un. Bufi thotë do ta shkrij SPAK-un, por nëse do isha edhe unë i trembur dhe i shqetësuar për këtë siç përpiqen të më pikturojnë disa, kjo do ishte më e thjeshta, një fishkëllimë bufit dhe e di si do vinte? Menjëherë se e sjell tmerri që ka me drejtësinë dhe SPAK-un për të kaluarën që nuk e blen dot e nuk e ndryshon dot. Menjëherë nuk do ishte më SPAK dhe do e shihnit se nuk do hapte gojën Amerika sepse ka ndryshuar qasjen për momentin. Pra, SPAK është aty dhe do jetë aty me mbështetjen e kësaj partie. Ne jemi vullneti i shumicës së popullit shqiptar që kërkon që SPAK të jetë aty”- shtoi kryeministri.
Ai tha se do të vijojë me kritikat sa i takon mënyrës së marrjes në pyetje nga prokurorët e SPAK. Versus.al
Rama: PD po e përdor SPAK-un si mjet për luftë politike, e vë në lëvizje me presion
Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një komunikimi në rrjetet sociale ku iu përgjigj pyetjeve dhe komenteve të ndryshme, foli sërish për situatën e krijuar në vend me veprimet e fundit të SPAK ndaj politikës.
Rama tha se PD po e përdor SPAK-un si mjet të luftës politike me presione dhe me denoncime në formë shantazhi.
“Sot kemi një mbulim histerik të gjithë temës së korrupsionit në të gjitha televizionet kanalet e portalet. Këneta edhe pse është subjekt i luftës anikorrupsion është e mobilizuar për të spërkatur në llumin e vetë këdo. Për ta përdorur SPAK-un si një mjet të vetin të luftës politike duke e vënë në lëvizje përmes presionit të llumit dhe denoncimeve të gjithanshme e shantazhi permanent.
Kjo është njëra anë e medaljes, krijohet ideja se këtu janë të gjithë hajdutë. Por çfarë thonë faktet konkrete, pse BE e konsideron Shqipërinë si një prej vendeve që është gati për t’u bërë pjesë e BE”- u shpreh Rama. Versus.al








