POLITIKË /

Sugjerimi i PD pas alarmit për sulm nga Irani, Begaj: Këshilli i Sigurisë s'merr vendime! Po ndjekim situatën

Begaj bën me dije se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet lidhur me sigurinë kombëtare.

Shkruar nga Versus

Sugjerimi i PD pas alarmit për sulm nga Irani, Begaj: Këshilli i

Presidenca ka reaguar për herë të parë pasi SHBA paralajmëroi sulme të mundshme iraniane në Shqipëri dhe opozita kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. 

Në reagim thuhet se edhe në rast se mblidhet, Këshilli i Sigurimit Kombëtar është vetëm organ këshillimor dhe nuk merr vendime për diskutimet që bën. Ndërsa nënvizohet se situata po monitorohet vazhdimisht. 

Reagimi i presidencës:

- Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor në mbështetje të Presidentit të Republikës për ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të veta kushtetuese dhe ligjore. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime për çështjet që diskuton. Këshilli përbëhet nga drejtues të organeve të larta shtetërore dhe titullarë të institucioneve të rëndësishme.

Këshilli i shërben Presidentit të Republikës, si rregull, për diskutimin e rekomandimeve për masat që Presidenti i Republikës përpilon për institucionet ligjzbatuese dhe përgjegjëse për sigurinë lidhur me përballimin e rreziqeve që i kanosen Republikës së Shqipërisë.

- Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm  me institucionet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informohet prej tyre për çdo situatë dhe skenar, si dhe për të gjitha masat që merren në kuadër të protokolleve të sigurisë.

- Presidenti i Republikës ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës. Mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka konstatuar se bashkëpunimi institucional dhe ai me partnerët e huaj e ndërkombëtarë është në nivele tejet të larta.

- Presidenti i Republikës vijon komunikimin me institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare, të cilat janë në koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me partnerët tanë, si dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore. Versus.al

Poll