POLITIKË /

Përplasje dhe akuza të forta në Kuvend mes socialistëve dhe demokratëve, ndërpritet seanca pas tensioneve

Seanca e sotme në Kuvend është shoqëruar me tensione të forta mes opozitës dhe mazhorancës, ku u bllokua foltorja dhe pati përplasje mes deputetëve pas ndërprerjes së fjalës dhe debateve të ashpra në sallë.

Shkruar nga Versus
Përplasje dhe akuza të forta në Kuvend mes socialistëve dhe
Pamje nga Kuvendi

Seanca parlamentare është përfshirë nga tensione dhe përplasje të forta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, duke sjellë ndërprerjen e përkohshme të saj.

Pamjet nga salla tregojnë momentin kur deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe bllokuan foltoren.

Në një kohë kur në foltore ndodhej Flamur Noka, nga vendi i saj tentoi të fliste socialistja Bora Muzhaqi, por nuk u lejua për shkak të debateve të forta në sallë.

Gjatë tensioneve, deputetja e Partisë Demokratike Elda Hoti tentoi t’i hiqte kartën e votimit Muzhaqit, duke shkaktuar reagimin e kësaj të fundit, e cila u shpreh: “Si mund të marrë kartën një vajzë, një vajze?”.

Situata u përshkallëzua më tej, derisa ndërhynë socialistët Taulant Balla dhe Igli Hasani për të ndalur veprimin.

Debatet vijuan edhe pas fjalës së Ballës, i cili ironizoi dhe sulmoi Nokën, ndërsa ky i fundit reagoi ashpër duke hedhur akuza të rënda ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi.

Noka e cilësoi atë si “peng të Ramës” dhe përdori tone të forta akuzuese gjatë fjalës së tij, duke rritur më tej tensionin në sallë.

Pas bllokimit të foltores nga Noka dhe përshkallëzimit të situatës, Peleshi vendosi ndërprerjen e seancës për 5 minuta pushim, ndërsa paralajmëroi edhe masa disiplinore./Versus.al

Poll