Çfarë do të gjeni në brendësi
*Alarmi i dhënë mbrëmjen e djeshme nga ambasada e SHBA e cila paralajmëroi një sulm të mundshëm iranian në Shqipëri, ka qenë sot temë e diskutimeve edhe në Kuvend. *PD kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa qeveria nga ana tjetër tha se nuk ka vend për panik dhe se janë shtuar masat e sigurisë. *Agjentët e Antiterrorit gjithashtu kanë rritur praninë e tyre në objektet diplomatike, ndërsa policia ka rritur numrin e efektivëve në terren. *Presidenti Bajram Begaj tha se Këshilli i Sigurisë nuk ka kompetenca vendimmarrëse, ndërsa nënvizoi se është në monitorim të vazhdueshëm të situatës.
Përplasje dhe akuza të forta në Kuvend mes socialistëve dhe demokratëve, ndërpritet seanca pas tensioneve
Seanca parlamentare është përfshirë nga tensione dhe përplasje të forta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, duke sjellë ndërprerjen e përkohshme të saj.
Pamjet nga salla tregojnë momentin kur deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe bllokuan foltoren.
Në një kohë kur në foltore ndodhej Flamur Noka, nga vendi i saj tentoi të fliste socialistja Bora Muzhaqi, por nuk u lejua për shkak të debateve të forta në sallë.
Gjatë tensioneve, deputetja e Partisë Demokratike Elda Hoti tentoi t’i hiqte kartën e votimit Muzhaqit, duke shkaktuar reagimin e kësaj të fundit, e cila u shpreh: “Si mund të marrë kartën një vajzë, një vajze?”.
Situata u përshkallëzua më tej, derisa ndërhynë socialistët Taulant Balla dhe Igli Hasani për të ndalur veprimin.
Debatet vijuan edhe pas fjalës së Ballës, i cili ironizoi dhe sulmoi Nokën, ndërsa ky i fundit reagoi ashpër duke hedhur akuza të rënda ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Noka e cilësoi atë si “peng të Ramës” dhe përdori tone të forta akuzuese gjatë fjalës së tij, duke rritur më tej tensionin në sallë.
Pas bllokimit të foltores nga Noka dhe përshkallëzimit të situatës, Peleshi vendosi ndërprerjen e seancës për 5 minuta pushim, ndërsa paralajmëroi edhe masa disiplinore./Versus.al
Sugjerimi i PD pas alarmit për sulm nga Irani, Begaj: Këshilli i Sigurisë s'merr vendime! Po ndjekim situatën

Presidenca ka reaguar për herë të parë pasi SHBA paralajmëroi sulme të mundshme iraniane në Shqipëri dhe opozita kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.
Në reagim thuhet se edhe në rast se mblidhet, Këshilli i Sigurimit Kombëtar është vetëm organ këshillimor dhe nuk merr vendime për diskutimet që bën. Ndërsa nënvizohet se situata po monitorohet vazhdimisht.
Reagimi i presidencës:
- Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor në mbështetje të Presidentit të Republikës për ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të veta kushtetuese dhe ligjore. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime për çështjet që diskuton. Këshilli përbëhet nga drejtues të organeve të larta shtetërore dhe titullarë të institucioneve të rëndësishme.
Këshilli i shërben Presidentit të Republikës, si rregull, për diskutimin e rekomandimeve për masat që Presidenti i Republikës përpilon për institucionet ligjzbatuese dhe përgjegjëse për sigurinë lidhur me përballimin e rreziqeve që i kanosen Republikës së Shqipërisë.
- Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informohet prej tyre për çdo situatë dhe skenar, si dhe për të gjitha masat që merren në kuadër të protokolleve të sigurisë.
- Presidenti i Republikës ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës. Mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka konstatuar se bashkëpunimi institucional dhe ai me partnerët e huaj e ndërkombëtarë është në nivele tejet të larta.
- Presidenti i Republikës vijon komunikimin me institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare, të cilat janë në koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me partnerët tanë, si dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore. Versus.al
Shqipëria në shënjestrën e Iranit? Antiterrori shton masat në kampin e MEK dhe në ambasada

Pas paralajmërimit të bërë nga ambasada amerikane një ditë më parë lidhur me rrezikun që Shqipëria të sulmohet nga grupe të lidhura me Iranin, sot strukturat e Antiterrorit kanë rritur planin e masave.
Burime bëjnë me dije se njësia e antiterrorit ka zhvilluar takime me përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe asaj izraelite.
Pavarësisht se plani i masave ishte shtuar më herët, pas këtij paralajmërimi është rritur niveli i gatishmërisë dhe janë shtuar kontrollet në terren. Në fokus të masave janë kryesisht ambasada amerikane, izraelite, kampi i muxhahedinëve në Manzë, si dhe sheshe e hapësira të mëdha publike në vend.
Pritet që edhe në terren të shtohen forcat e policisë. Shërbimi Informativ Shtetëror në bashkëpunim me Antiterrorin do të ketë në qendër sigurinë e objekteve diplomatike. Versus.al
Alarmi i ambasadës së SHBA për sulm iranian, PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë! Qeveria: S'ka rrezik

Pavarësisht interpelancës të parashikuar në rendin e ditës, vëmendjen në nisje të seancës së sotme plenare e mori alarmi i dhënë mbrëmjen e djeshme nga ambasada e SHBA në Tiranë e cila paralajmëroi se Shqipëria mund të jetë shënjestër e sulmeve nga grupe të lidhura me Iranin.
Opozita duke e cilësuara këtë si një paralajmërim serioz, kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa qeveria tha se nuk ka vend për t’u shqetësuar pasi Shqipëria nuk rrezikohet nga sulme të tilla aktualisht.
Demokratët kërkuan që kryeministri Edi Rama të ishte i pranishëm në seancë për të dhënë llogari mbi masat e ndërmarra për garantimin e sigurisë së shqiptarëve duke ngritur gjithashtu pikëpyetje për koordinimin mes ambasadës së SHBA dhe mazhorancës e cila e konsideroi njoftimin “hamendësim”.
“Ne kërkojmë që Rama të paraqitet në seancë dhe të japë shpjegime për deputetët për 3 çështje, pse e cilësoi hamendësim paralajmërim e SHBA për synimet me vullnet të keq me Iranin, a ka koordinim mes partnerëve ndërkombëtare për çështjen dhe çfarë informacionesh ka shkëmbyer qeveria shqiptare me SHBA, a ka një vlerësim zyrtar të institucionet shqiptare për situatën e sigurisë në lidhje me çështjen e Iranit dhe çfarë masash parandaluese janë marrë dhe cilat janë strukturat e angazhuara në këtë çështje”, deklaroi Bardhi.
Nga ana tjetër ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se Shqipëria është në kontakt të vazhdueshëm me SHBA dhe NATO-n dhe se nuk ka arsye për të përhapur panik.
"Janë çështje që ministria e jashtme merren më mënyrë të posaçme, siguroj që ne i ndjekim me shumë vëmendje deklaratat e partnerëve tanë, jemi në kontakt me ata këtu dhe në Uashtington, jemi në kontakt me NATO-n. Dua të them vlerësimi që kemi sot, është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar", tha Hoxha.
Ndërsa më herët, për mediat foli edhe ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi i cili tha se i njëjti njoftim është shpërndarë edhe nga ambasadat e SHBA në vendet e tjera të Evropës. Versus.al
Njoftimi i ambasadës së SHBA për sulm të mundshëm iranian, ministri Nufi: S'ka vend për shqetësim
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi u pyet nga mediat lidhur me njoftimin e shpërndarë dje nga ambasada e SHBA në Shqipëri e cila u bënte thirrje qytetarëve amerikanë në vendin tonë që të kishin kujdes pasi regjimi iranian mund të kryente një sulm në Shqipëri.
Nufi tha se nuk ka vend për t’u shqetësuar dhe se i njëjti njoftim është shpërndarë nga ambasada e SHBA për të gjithë amerikanët në shtetet e Evropës.
“Besoj se nuk ka vend për t’u shqetësuar. Ambasada ka bërë deklaratën e saj në përputhje me masat e sigurisë për qytetarët amerikanë. Vend për të patur kujdes patjetër që ka, kjo është e gjithëkohshme për më tepër në një kohë të tillë.
Besoj se kjo kërkesë ka shkuar për të gjitha ambasadat e SHBA në Evropë dhe se është për të gjithë qytetarët amerikanë në gjithë Evropën jo vetëm këtu. Është një informacion i dhënë për të gjitha ambasadat sepse ne jemi cënuar nga veprimtaria e lidhur me atë shtet që ka cënuar infrastrukturën tonë kritike pavarësisht se të gjitha sistemet janë funksionalë”- deklaroi Nufi. Versus.al

