Gjykata e Posaçme e Apelit riktheu masën detyrim paraqitjeje me prezencë dy herë në muaj në SPAK të kreut të PD-së, Sali Berisha.
Pas këtij vendimi të gjykatës, strukturat e PD-së janë organizuar për të bërë protestë tek SPAK ditën e hënë në orën 9:30 minuta, pasi në këtë orë do të paraqitet dhe kryedemokrati, Sali Berisha.
Një mesazh i shpërndarë (SMS) strukturave të partisë në Tiranë, theksohet se ‘ditën e hënë, në orën 09:30 të mobilizojmë të gjitha strukturat për të protestuar para SKAP-it’, që e cilësojnë si strukturë ‘në duart e Ramës, për të përndjekur kundërshtarë politikë’.
‘Të dashur miq!
Ditën e Hënë, në ora 09:30, të mobilizojmë të gjithë strukturat tona për të protestuar përpara SKAP-it, si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë. Do të jemi aty në mbështetje të së drejtës, ligjit dhe së vërtetës, që janë në anën e Kryetarit të PDSH-s Prof. Dr. Sali Berisha. Ora 09:30, përpara godinës së SKAP-it. Faleminderit!’, thuhet në mesazhin e shperndare per strukturat ne Tirane.
Më herët, një protestë të tillë e ka organizuar edhe Partia e Lirisë, për të kundërshtuar arrestimin dhe akuzat ndaj kreut të saj, Ilir Meta.








