
Tiranë- Më 24 tetor në orën 12:00 do ta mbahet seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme ndaj Sali Berishës dhe 4 të pandehurve të tjerë për çështjen e njohur si “afera e privatizimit të ish-kompleksit Partizani”.
Gjyqtarja Flojera Davidhi do të vendosë nëse dosja do të shkojë për gjykim apo çështja do të pushohet. Davidhi u përzgjodh si gjyqtarje e çështjes me anë të shortit të hedhur të mërkurën. Davidhi në vitin 2022 detyroi SPAK-un të niste hetimin për pasurinë e Sali Berishës dhe Ilir Metës pas padisë së dorëzuar nga avokati Idajet Beqiri i cili i akuzonte për grabitjen e floririt në Kërrabë.
Sali Berisha, në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv në privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” gjatë kohës që ka mbajtur postin e kryeministrit të vendit.
Po ashtu, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi mbahet nën arrest shtëpie prej nëntorit të vitit të kaluar nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave. Në dosjen e SPAK është bërë edhe hetimi i transfertave bankare të Malltezit i cili kishte paguar qindra mijëra euro për gjyqin e Berishës kundër shpalljes “non-grata” dhe po ashtu kishte disa apartamente në disa shtete të BE.
Gjithashtu janë marrë të pandehur:
Fatmir Bektashi, ndërtuesi i kullave në kompleks, akuzohet për korrupsion aktiv të zyrtarëve të lartë, në këtë rast të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe për pastrim parash
Andia Pustina, juristja që ka kryer veprimet proceduriale në kalimin e pronësisë, akuzohet për pastrim parash
Xhimi Begeja, kushëri dhe ortak i Jamarbër Malltezit, akuzohet për pastrim parash. Versus.al








