
Pas kërkesës së Ilir Alimehmetit për rinumërimin e votave, edhe dy kandidatët e tjerë të Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha, i janë drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) me kërkesë zyrtare për rinumërimin e votave në të gjithë qarkun e Tiranës.
Lisandër Hoxha ka kontestuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, duke kërkuar një rivlerësim të plotë të votave preferenciale të kandidatëve për të gjitha KZAZ-të në këtë qark.
Sipas tij, gjatë verifikimit të pamjeve filmike të siguruara nga KQZ, është zbuluar se një pjesë e votave preferenciale të hedhura për të, janë regjistruar gabimisht në emër të një kandidati tjetër.
Të tre kandidatët theksojnë se gabime të tilla, edhe në pak qendra votimi, mund të kenë ndikuar ndjeshëm në përfundimin e renditjes dhe ndarjen e mandateve në listën e PD-së.
“Në kundërshtim të Vendimit nr. 1326, datë 24.05.2025 “Për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë, në zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025” kërkoj rinumërimin dhe rivlerësimin e votave preferenciale të kandidatëve.
Kjo nisur nga konstatimi në videot e marra, jo të plota, nga KQZ, të procesit të numërimit të votave të zgjedhësve. Konkretisht, në KZAZ nr. 28, kutia 1565, konstatoj se disa vota preferenciale të miat janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër. Sipas informacioneve, ky fenomen ka ndodhur edhe në KZAZ të tjera, duke tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve.
Procesi i verifikimit të pamjeve filmike kërkon një kohë të gjatë, të cilën KQZ duhet të na e mundësojë në mënyrë që ligji të zbatohet dhe vullneti i zgjedhësve të lexohet plotesisht. Përsa më sipër, kërkoj rivlerësimin e votave të kandidatëve për të gjitha KZAZ e Qarkut Tiranë”, - thuhet në kërkesë.
Ndërsa Hajdarmataj teksa liston QV-të, ku sipas saj rezultati është i ndryshëm nga ato të miratuara, thotë se “Qendrat e votimit të mësipërme, por edhe shumë të tjera, krijojnë bindjen se numërimi ka patur problematika në të gjithë qarkun e Tiranës, duke krijuar shkak për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin të të gjitha qendrave të votimit.”/Versus.al







