Për herë të parë në histori, një parti politike shqiptare do të protestojë para Parlamentit Europian. Afro 30 deputetë kanë shkuar sot në Strasburg dhe kanë nisur përgatitjet për tubimin e nesërm.
Burime bëjnë me dije se pritet të ketë një ndarje në dy grupe të deputetëve.
Njëri grup i deputetëve do të hyjnë brenda Parlamentit Europian për të zhvilluar takime me eurodeputetët, ku do i njoftojnë ata sa i takon situatës me opozitën në Shqipëri dhe grupi tjetër do të jenë para Parlamentit Europian me pankarta në duar për të protestuar.
Grupi i parë ka nisur që sot takimet. Gazment Bardhi, Tabaku, Vokshi, Gjekmarkaj dhe Noka kanë zhvilluar një takim me Sandro GOZI, eurodeputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane, dhe znj. Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësues të grupit parlamentar “Renew Europe”. Pra duket se ata do të udhëheqin dhe protestën.
“Informimi i plotë mbi situatën në Shqipëri ishte në fokus të bisedës, me dy mbështetës të të ardhmes europiane të Shqipërisë. Është e paimagjinueshme për çdo mik europian të Shqipërisë, që të perceptojnë se vendi ynë, edhe pse vend kandidat për në BE, ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjësuar balancën mes pushteteve, dhe ka eliminuar zgjedhjet e lira.
Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ndërkohë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS, pushteti i kriminalizuar i Edi Ramës synon asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike të lidershipit të opozitës, duke na rikthyer 34 e më shumë vjet pas dhe duke vënë në pikëpyetje serioze demokracinë”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.
Protesta do të ndodhë në një kohë kur nesër do të vijë në Tiranë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.







