Presidenti Bajram Begaj ka reaguar me një shkrim në rrjetet sociale pas përmbylljes së konsultimeve me partitë politike për datën e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.
Duke mos përmendur faktin që PD bojkotoi procesin të cilin e konsideroi si "farsë", Begaj shprehet i kënaqur nga konsultimet me partitë, ndërsa tha se detyra e tyre është shndërrimi i zgjedhjeve në histori suksesi.
Postimi i plotë i Begajt:
Sot mbylla procesin e konsultimeve me faktorin politik dhe institucional për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.
Kompetenca për caktimin e datës së zgjedhjeve i takon Presidentit të Republikës, por unë jam shumë i kënaqur që i gjithë faktori politik parlamentar u përfshi me opinione dhe sugjerime në këtë proces, si drejtpërdrejt me pjesëmarrje në takimet konsultuese, edhe në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet përcjelljes në rrugë të tjera të preferencave partiake.
Nga konsultimet vura re se, në tërësi, opinionet udhëhiqeshin nga interesi më i lartë i zgjedhësve dhe jo nga përllogaritjet meskine që priten rëndom në raste të tilla.
Konvergjenca e mendimeve, përtej dallimeve në qëndrimet politike, ishte shfaqja më domethënëse e kësaj konsulte.
Caktimi i datës së zgjedhjeve për mua nuk është thjesht një detyrim kushtetues dhe as procedurë formale juridike, por është, së pari, një sprovë e fuqishme bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe angazhimi i të gjithë faktorit politik dhe institucional në emër të zgjedhësve dhe për zgjedhësit, sikurse është një rast domethënës për të risjellë në vëmendje rëndësinë vendimtare që kanë zgjedhjet për konsolidimin e demokracisë parlamentare.
Detyra madhore e aktorëve politikë është t’i shndërrojnë zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 2025 në histori suksesi për shqiptarët dhe demokracinë shqiptare, ku duhet të shkëlqejë zbatimi i ligjit, korrektesa dhe etika në komunikimin e platformave, respekti për zgjedhësit dhe vullnetin e tyre të shprehur me votë. Versus.al