
Kleana Xhuveli do të jetë deputetja e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Kuvend. Vendimi u njoftua nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi pas shqyrtimit me anëtarët e tjerë të organit zgjedhor. Rrezulton që Xhuveli është vajza e tezes së Adriatik Lapajt.
Gjatë argumentit të dhënë kundër kërkesës së Lapajt që të pranohej dorëheqja e kandidatëve të listës së mbyllur, Celibashi u shpreh se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pas miratimit të listës së kandidatëve. Por theksoi se cilido prej kandidatëve mund të japë dorëheqjen pas ndarjes së mandateve, veçse këtë gjë do duhej ta bënte në mes të Kuvendit.
“Le të supozojmë se kandidatët kanë dhënë dorëheqjen që më 11 maj dhe nuk janë më kandidatë? E gjithë lista e subjektit tuaj do të binte dhe ky subjekt nuk do duhet të ishte regjistruar si subjekt. Në rastin e Tiranës numri i kandidatëve në listën e fiksuar, nuk mund të jetë më pak se 12. Përfundimi: nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi pasi listat janë miratuar.
Në këtë fazë të procesit përsa kohë KQZ nuk ka vendosur për të shpërndarë mandatet, është në të drejtën e çdo kandidati për të hequr dorë nga marrja e mandatit. Në këtë rast, mund ta ushtrojë para KQZ përsa kohë nuk është marrë një vendim i tillë. Në momentin kur është vendosur për shpërndarjen e mandateve, kandidati duhet ta bëjë dorëheqjen para Kuvendit.
Kleona Xhuveli ka pohuar se do të marrë mandatin e deputetit. E ka bërë këtë deklarim edhe Kordhoni. Por duke qenë se Xhuveli është renditur në listën e mbyllur më sipër, vlerësohet që mandati i takon asaj përsa kohë ajo e ka interesin. Përfundimisht shpall fituese Kleana Xhuvelin”- tha kreu i KQZ.
Me këtë vendim, merr fund edhe përplasja disa ditore mes dy kampeve brenda koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ ku Zeqir Kordhoni daja i Endrit Shabanit kërkoi që mandati t’i kalonte atij ndryshe nga sa kishin rënë dakord para zgjedhjeve. Shabani tha se nuk mbante përgjegjësi për qëndrimet e dajës së tij, ndërsa kritikoi Lapajn si nxitës të kësaj situate për shkak se nuk dha dorëheqjen siç pati deklaruar në media se do të bënte në rast se merrnin vetëm një mandat.
Pavarësisht se Lapaj rezultoi më i votuari i listës së hapur në Tiranë, Shabani tha se me qëndrimin e tij duke mos mbajtur fjalën ka nxitur edhe vendimmarrjen e Kordhonit i cili nuk pranonte dorëheqjen nga mandati. I gjendur në këtë situatë, ditën e djeshme Adriatik Lapaj propozoi dorëheqjen e tij dhe të Endri Shabanit nga lista e hapur duke bërë që mandati t’i kalojë Greta Ambelit, të tretës më të votuarës në listën e hapur. Mirëpo një gjë e tillë nuk u pranua nga Endri Shabani i cili pretendon se ndaj dajës së tij ka patur kërcënime të vazhdueshme të bëra nga familjarë të Lapajt. Versus.al







