
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një tjetër episod të podkastit të tij “Flasim” ku të ftuar kanë qenë një çift bashkëshortësh që kanë hapur një agroturizëm në Tragjas të Vlorës.
Teksa u fol për nevojën e vendit për punëtorë, Rama ironizoi edhe disa prej ankesave të cilat sipas tij janë të pabaza.
“Kemi trefishuar peshën trupore nga e ngrëna. Po kur thonë jemi pa bukë. Keni dëgjuar kur thonë jemi pa bukë? Ku ka pa bukë në Shqipëri, pa bukë nuk ka pasur kurrë në Shqipëri. Edhe në fshatra po të shkosh, në vende ku janë komplet si më parë, për të ngrënë nuk ka pasur asnjëherë”- u shpreh kryeministri.
Ndërsa më tej nënvizoi faktin se disa prej sipërmarrësve i janë ankuar për faktin se nuk gjejnë punëtorë edhe me paga të larta.
“Isha dje me disa sipërmarrës dhe më thonin nuk kemi problem fare sa i paguajmë, problemin e kemi që të vijnë të punojnë. Sepse kemi arritur që sanitarja merr 600 euro që i çon në shtëpi”- shtoi Rama. Versus.al







