Teksa mbante fjalën e tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Edi Rama foli edhe për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Hagës ndaj 4 ish-komandantëve të UÇK-së.
Duke e cilësuar si mbajtje peng dhe të parregullt procesin, Rama shprehu edhe habinë për faktin se Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar një rezolutë ku t’u kërkojë vendeve financuese të gjykatës ngritjen e një komisioni verifikimi për procesin që po zhvillohet.
“Unë nuk vij dot deri këtu në Prishtinë dhe pastaj ta gëlltis në heshtje në këtë foltore para jush në mungesë të Hashimit, Rexhepit, Jakupit dhe Selimit është nyja e mbledhur në fyt nga një dyshim shumë i madh se a proces është proces i parregullt ligjor. Dhe se normat e standartet e tij janë nënstandarte të drejtësisë të të gjithë vendeve që e financojnë atë farë gjykate. Unë nuk rri dot pa e thënë këtu vëllazërisht çudinë time për faktin se në këtë sallë nuk është marrë një nismë për t'ju kërkuar përmes një resolute të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standartet e këtij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një komisioni verifikimi për këtë proces gjyqësor. Ndoshta ky shqetësim gjerësisht i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron atë herë kjo është një gjëmë e madhe”- deklaroi kryeministri Rama.
Ai tha se në rast të një rezolute të tillë, Partia Socialiste do të jepte mbështetje të plotë në Kuvendin e Shqipërisë për ta dërguar më pas në BE. Versus.al








