POLITIKË /

“Sanksionet e BE ndaj Kosovës, absurditet”, Rama: E gjithë barra duhet t’i mbetet Serbisë

Shkruar nga Versus

“Sanksionet e BE ndaj Kosovës, absurditet”, Rama: E gjithë

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij duke renditur arritje të bëra nga Shqipëria në vitet e fundit, ndërsa kujtoi edhe porositë e dhëna nga ish-presdenti i ndjerë Ibrahim Rugova për faktorin shqiptar në Ballkan.

Ndër të tjera ai i cilësoi si të papranueshme sanksionet e vendosura nga ana e Bashkimit Europian ndaj Kosovës dhe theksoi se së bashku me presidenten Vjosa Osmani kishin këmbëngulur për heqjen e tyre.

“Plot 20 vite më parë, në vitin 2004 presidenti Ibrahim Rugova tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar “objektivat e përbashkëta të Kosovës e Shqipërisë, janë anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi me SHBA”. E themi me bindje të plotë se shqiptarët kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e BE”. Këto fjalë janë gjithçka na mjafton për të mos e humbur objektivin historik dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses si trimi i mirë me shokë shumë. Ndërkohë që Shqipëria ecën me hapa të shpejtë për tu bashkuar me Evropën, përfytyrojeni sesa krenarë do i bënim të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë nëse në këtë udhëtim të jemi krah për krah me Kosovën. Sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit, si mishërim i vlerave evropiane në këtë rajon ku jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e perëndimit. Dëshira ime është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE dhe tjetri në listën e sanksioneve të cilat janë absurditet absolut.

Së bashku me presidenten Vjosa Osmani në samitin e BE dy ditë më parë kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen.  Kemi siguruar që të gjitha fondet e BE që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave, të mos digjen”- tha Rama.

Ai deklaroi se duhet që e gjithë barra e mos-veprimit për normalizimin e marrëdhënieve, t’i lihet Serbisë.

“Duhet të jemi dorë për dore për të bindur edhe shtetet e BE për absurditetin e mosnjohjes së Kosovës si shtet evropian. Barra duhet t’i bjerë vetëm Serbisë, po kurrsesi nuk duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram t’i bjerë Kosovës. Ne duam që Kosova të njihet një ditë e më parë nga të gjitha ato vende në Evropë që ende nuk e kanë bërë. Përfshirë edhe nga Serbia që është mundur në luftë 20 e ca vite më parë nga Kosova. Pezmatimi i aleatëve strategjikë me Kosovën na pengon të bëjmë aq sa do donim në këtë situatë kur të gjitha yjet janë rreshtuar në krah të shqiptarëve”- shtoi kryeministri. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: