
Sali Berisha nuk është përmbajtur me tonet përpara protestës që ka thirrur më datë 10 shkurtë ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës si kryeministër. Duke denoncuar edhe njëherë skandalin që zbuloi se biznesmeni Ergys Agasi përfitonte nga tenderat e AKSHI-t dhe rrëmbente rivalët, Berisha tha se protesta mund të shndërrohet edhe në ngujim në sheshin para godinës së qeverisë.
“Janë me qindra qytetarë që më shkruajnë dhe më thonë se nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën. Ne drejt asaj do të shkojmë. Të themi të vërtetën. Ne drejt asaj do të shkojmë në mënyrë të pashmangshme, në mënyrë të sigurt.
Ndaj dhe pikërisht ky moment duhet të jetë çështje e diskutimit tonë të gjerë me qytetarët, me mbështetësit tanë, me anëtarët tanë dhe popullin opozitar. Galeria e Ergys Agasit, është galeria më e shëmtuar e shtetit. Ajo do të hyjë në histori si dëshmia më e tmerrshme e degradimit, degjenerimit total të organizatës kriminale që quhet rilindje. Kjo vetëm e vetën se Agasi ishte Rama, jo për arsye tjetër”- tha mes të tjerash kryedemokrati.
Ndërsa u shpreh se e gjithë Evropa e bota po pret protestën e Partisë Demokratike më 10 shkurt, u kërkoi deputetëve që të intensifikonin ndërveprimin me qytetarët në terren.
“Përkundrazi, atë e mbron Ergysi i policisë që quhet Ilirjan Proda, përfaqësues kryesor i karteleve. Pra, që të mos e zgjasim më tej, gjithçka është në duart e qytetarëve. Gjithçka është në duart e të rinjve shqiptarë, e studentëve, e të rinjve punëtorë, e gjimnazistëve. Dhe unë kam shumë besim. E gjithë Europa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë. I kanë përcjellë protestat me simpatinë më të madhe, me vlerësimin maksimal. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë misionin, misionin e përmbysjes së kësaj narkodiktaturë dhe rikthimin e votës së lirë për shqiptarët”- shtoi Berisha. Versus.al

