
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur në SPAK në zbatim të masës së detyrimit të paraqitjes.
Në dalje nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ai është pyetur nga gazetarët për përballjen e mundshme me kryeministrin Edi Rama në GJKKO, në kuadër të dosjes “Partizani”, ku Berisha është i pandehur dhe Rama është thirrur si dëshmitar.
Berisha u shpreh se kjo do të jetë “përballja e shekullit”, duke theksuar gjithashtu se paraqitja në gjykatë si dëshmitar është, sipas tij, e detyrueshme me ligj.
“A do ballafaqohet ai me mua? Nuk ka ku të shkojë. Paraqitja në gjykatë si dëshmitar është i detyrueshëm. Shih kodin. Ai do përpiqet, që tani ka krijuar një këshill si ta kapërcejë këtë, por nuk e kapërcen dot. Por ajo do jetë përballja e shekullit. Do ti tregoj shqiptarëve të gjithë korrupsionin e Edi Ramës dhe çfarë qenie të lige përfaqëson ky njeri. I them bëhu burrë dhe hajde në gjykatë, ose nëse nuk ta mban zgjidh një studio televizive jam gati në debat, dhe atëherë të konsideroj tërheqjen e kërkesës për dëshmitar, përndryshe jo, do vijë dëshmitar në sallën e gjyqit, vjen si delikuent, vjen si i dënuar”, tha Berisha.

