Ndërkohë që në vend prej më shumë se 3 javësh zhvillohen protesta masive ku kërkohet dorëheqja e tij, kryeministri Edi Rama u shfaq mëngjesin e sotëm në selinë rozë ku pati një takim me dyer të mbyllura me drejtues politikë qarqesh dhe kryebashkiakë. Përsa u takon protestave, Rama i konsideroi si "luftë digjitale", ndërsa u bëri thirrje të tijëve që të mos ndërpresin takimet në terren dhe komunikimet me qytetarët.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se nuk ka ndërmend të dorëhiqet nga posti që sipas tij ia kanë dhënë shqiptarët në zgjedhjet e 11 majit. Pavarësisht kërkesave të protestuesve për qeveri teknike dhe anulim të ligjit për zonat e mbrojtura dhe investitorët strategjikë e më pas zgjedhje të parakohshme, Rama ka deklaruar se PS do vijojë mandatin deri në zgjedhjet e 2029-ës.
Disa ditë më parë, Rama mbajti një takim me deputetët dhe ministrat e PS ku e vuri theksin tek "algoritmi" që sipas tij po nxit qytetarët të dalin në protesta, ndërsa kritikoi ardhjen e shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë së Veriut në protestë. Versus.al

