
Kryeministri Edi Rama pati një vërejtje për kryebashkiakët socialistë të cilëve u kërkoi që të qëndronin në bashkitë ku qëndrojnë dhe të mos shkojnë në Tiranë edhe në ditët kur janë në punë.
Duke mos i përmendur me emra, Rama u mjaftua vetëm duke thënë se bëhet fjalë për kryebashkiakët e zonës së juglindjes, por jo për Sotiraq Filon. Ndërsa përpjekja e tij për të mos dhënë emra u shoqërua me të qeshura, Rama thumboi edhe kryebashkiakët e PD duke thënë se këta të fundit nëse duan mund të qëndrojnë edhe në shtëpi.
“Me një vërejtje për disa nga kryebashkiakët, nuk dua t’I përmend me emra. Janë bërë pak problem, po e them në mënyrë të butë, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marri fund.
Nuk po i përmend me emër dhe publikisht. Lënë detyrën dhe komunitetit përpara se të vijë momenti zyrtar i pushimit dhe vijnë në Tiranë. Kjo gjë nuk është e justifikueshme dhe nuk është e pranueshme.
Është shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur kryesisht në juglindje e verilindje. Në aksin Tiranë-Korçë. Nuk flas për ata të ish-PD se ata mund të rrinë në shtëpi gjithë kohës se si janë si s’janë prapë ata janë. Flas për të zgjedhurit e PS në aksin Tiranë-Korçë, nuk e kam për Sotiraqin”- tha Rama. Versus.al

