Kryeministri Edi Rama ka mbajtur ditën e sotme një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE, Silvio Gonzaton lidhur me progress-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
Rama e cilësoi raportin si më të mirin ndër vite duke theksuar vlerësimin e bërë për SPAK-un dhe rritjen ekonomike. Sipas tij, kushdo që do të dijë gjendjen aktuale të vendit, duhet të lexojë raportin e publikuar.
“Është i vetmi raport ndërkombëtar që bazohet në fakte dhe jo në perceptime apo sondazhe. U referohet fakteve në kuadër të funksionimit të institucioneve. Ne sot marrim raportin më pozitiv të të gjithë këtyre viteve sepse e tillë është edhe ecuria e vendit. Konferenca e dytë ndërqeveritare afirmoi njohjen e përparimit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve për këtë fazë. Raporti është real dhe i balancuar dhe përcakton hapat që duhen bërë më tej dhe kushtet që duhet të përmbushim për anëtarësim.
Në përmbledhjen e bërë nga ambasadori ishte shumë e qartë se cilat janë adresimet që duhen bërë në këtë fazë të re të procesit. Kushdo që dëshiron të kuptojë dhe mësojë ku ndodhet sot Shqipëria në të gjitha fushat, bën mirë ta lexojë këtë raport sepse askund tjetër nuk do gjejë një analizë më të përpiktë të situatës aktuale të vendit.
Disa nga momentet më kryesore të raportit, së pari drejtësia. Përtej të gjitha polemikave raporti bën një vlerësim të lartë mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi. Ka pika që duhen adresuar dhe boshllëqe që duhen mbushur. KE vlerëson punën e SPAK-ut me shumë të drejtë, me avancimin e hetimeve dhe rezultateve përfshirë edhe ndaj atyre me profile të larta politike. Ekonomia dhe rritja e mirëqenies. Kjo konfirmohet nga raporti i KE që vlerëson edhe rënien e defiçitit dhe uljen e borxhit publik duke nënvizuar se sektori financiar është i qëndrueshëm”- u shpreh Rama ndër të tjera.
Ai shkoi më tej duke thënë se përkundër artikujve të mediave, Shqipëria është vendi më i përparuar në rajon sa i takon prokurimeve publike. Sipas tij, pavarësisht problemeve politike qeveria ka ecur përpara në këtë sektor.
“Ju e dini shumë mirë që konferenca e dytë ndërqeveritare u shty në kohë për shkak të një ngërçi politik me vëllezërit tanë në Greqi. E keni dëgjuar që kam thënë se kjo nuk ka pikë rëndësie për ne. Ne kemi hapur grupkapitullin e parë dhe të tjerë në rajon janë në negociata prej disa vitesh, por Shqipëria është i vetmi vend i rajonit që në fushën e prokurimeve publike nuk ka piketa të ndërmjetme deri në anëtarësim. Kjo do të thotë se Shqipëria konsiderohet vendi më i avancuar në prokurimet publike që është një fakt që shqiptarët nuk e mësojnë dot nga mediat.
Shqipëria renditet e para në rajon për prokurimet publike. Nuk kemi humbur asnjë minutë pavarësisht problemeve politike. KE ka rekomanduar 3 herë rresht hapjen e negociatave. Ne do jemi gati ta ngremë flamurin tonë në BE brenda kësaj dekade. A do e bëjmë ne këtë punë që nuk e ka bërë asnjë vend tjetër më përpara? Ne do e bëjmë punën që kjo të ndodhë” tha kreu i ekzekutivit.
Në përfundim të deklaratës së tij mbi këtë çështje, Rama tha se ka shumë punë për t’u bërë për anëtarësim në BE, proces që sipas tij do të përmbyllet deri në 2030-ën. Versus.al







