Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në prezantimin e kandidatëve për deputet të qarkut të Tiranës tha se PS sot është si PD në vitin 1992.
Ndonëse në listën e atyre që do kandidojnë në kryeqytet mungonte Veliaj, kreu i qeverisë tha se më 11 maj nuk diskutohet fitorja aritmetike dhe sa mandate do të marrë, por me rëndësi është vota me qëllim që Shqipëria të futet në BE.
“Do shkojnë tek numri 5 sepse duan apo nuk duan është PS sot në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, sic ishte PD në 1992. Nuk është se të gjithë ata që e votuan masivisht e donin, por shumë nga ata që e votuan e votuan sepse i dhanë prioritet zgjedhjes kombëtare të gjeopolitikës.
Shqiptarët duhet të përqafojnë BE duke i dhanë nje mesazh se PS që është sot këtu në qeveri, nuk lëviz nga qeveria në të gjitha rastet. Këtu nuk diskutojmë fitoren aritmetike, por po diskutojmë që a do jetë Shqipëria në gjendje që populli ti japë nje mesazh Evropës që një forcë si e jona që bën fushatë për këtë flamur bashkë me atë flamur ka mbështetjen për ti çuar negociatat deri në fund. Negociatat nuk janë muhabet, por një punë e jashtëzakonshme”, tha Rama.
Ai ironizoi opozitën duke thënë: “Ata që janë në kënetë, flenë në kënetë, hanë në kënetë, bërtasin në kënetë. Do ti duhej në rastin më të mirë 6 muaj kohë se ku janë. Po nuk u bë 2027 dera mbyllet dhe ne e pësojmë sic e ka pësuar Maqedonia e Veriut”.







