
Gjatë takimit me pensionistët në Gjirokastër, kryeministri foli për hetimet dhe arrestimet e zyrtarëve të lartë nga ana e SPAK, duke thënë opozita po përpiqet ta marrë pushtetin në këtë mënyrë duke pritur vetëm ndëshkime.
Ai tha se nuk është detyrë e qeverisë që të ndëshkojë apo përgjojë zyrtarë të hetuar, këtu duke ironizuar edhe përgjimet e bëra ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, për të cilat dyshohet se është dhënë urdhër nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
“Këta mendojnë që me duart e Altin Dumanit të na marrin pushtetin ne, duke na vënë ne në pozitë të vështirë gjoja. Por mua nuk më vënë dot në pozitë të vështirë se unë për këtë kam luftuar.
Nuk është detyra jonë si ekzekutiv të bëjmë punën e drejtësisë. Nuk të çon qeveria në burg. Nuk bën qeveria hetime edhe përgjime. Këto janë punët e drejtësisë. Shtëpia jonë është krijuar për të çuar njerëz në parlament, për të qeverisur kur kemi mandatin e popullit. Kush bën gjëra të paligjshme duhet të ndëshkohet. Kush do e ndëshkojë? Partia? Jo! Ne kemi pjesën tonë, distancohemi, por është drejtësia që e ndëshkon.
Ata mundohen të çorodisin miletin dhe thoën se këta janë të gjithë në burg. Jo more jo, ne jemi më shumë se ç’ishim. Historia e kësaj partie është një bie mijëra ngrihen”- u shpreh Rama. Versus.al








