Partia Socialiste do të organizojë të hënën në mbrëmje një ceremoni festive për të shënuar fitoren e saj në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku siguroi një mandat të katërt historik në qeverisje me 83 mandate në Kuvendin e Shqipërisë.
Festa do të mbahet në Pallatin e Brigadave, në orën 18:00, sipas një ftese të shpërndarë në grupet e komunikimit të përdorura gjatë fushatës elektorale. Të ftuar në aktivitet janë kandidatët e PS-së në listat e zgjedhjeve të fundit, anëtarë të strukturave partiake dhe figura të tjera të përfshira në fushatë.
Kjo fitore e katërt radhazi e socialistëve, e konsideruar si një moment historik nga vetë partia, vjen në një klimë politike të tensionuar, pasi Partia Demokratike ka refuzuar të njohë rezultatin e zgjedhjeve, duke akuzuar për manipulime dhe “vjedhje” të votave nga ana e kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës.
Pavarësisht kontestimeve nga opozita, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin final, duke konfirmuar shumicën absolute të PS-së në Kuvend dhe pozicionin e saj për të formuar sërish qeverinë.
Ndërkohë, PD dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar protesta dhe veprime politike në ditët në vijim, në përpjekje për të kundërshtuar atë që e konsiderojnë një “pushtet të ndërtuar mbi manipulim”.
Ceremonia e të hënës pritet të shërbejë si një moment mobilizimi dhe falënderimi për strukturat e PS-së, por edhe si një demonstrim force pas një fitoreje të cilësuar si “rekord” në historinë e pluralizmit politik në vend. /Versus.al/







