Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shfaqet pamja e Thethit pas ndërhyrjes së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për shembjen e ndërtimeve pa leje. Në mbishkrimin shoqërues, ai e cilëson këtë proces si një “operacion kundër kancerit të paligjshmërisë”.
Pamjet tregojnë zonën pas aksionit që u shoqërua me protesta, tensione dhe përplasje midis policisë dhe banorëve apo pronarëve të objekteve të shembura. Megjithë reagimet e ashpra, Rama nuk ka shfaqur asnjë hap pas në qëndrimin e tij për ndërhyrjet, duke theksuar vendosmërinë për të mos toleruar ndërtimet pa leje.
Në një mbledhje të zhvilluar një ditë më parë me deputetët e Tiranës dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Kryeministri deklaroi se çdo ndërtim pa leje do të sekuestrohet nga shteti dhe do të vihet në funksion të njerëzve në nevojë apo shërbimeve publike.
“Paligjshmëria nuk do të tolerohet në asnjë cep të vendit”, ishte mesazhi i qartë i kreut të qeverisë, i cili paralajmëroi masa të forta kundër abuzimeve me ndërtimet në të gjithë territorin, përfshirë zonat e mbrojtura dhe ato me vlera të larta turistike si Thethi. /Versus.al/







