POLITIKË /

Rama reagon sërish për Zvërnecin dhe sjell resortin në Greqi si shembull: Para ndërtimit, u tha se do vinte fundi botës

Sipas Ramës, projekti i Zvërnecit, do të sjellë fitime marramendëse për ekonominë shqiptare.

Shkruar nga Versus

Rama reagon sërish për Zvërnecin dhe sjell resortin në Greqi

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një video nga një resort turistik në Greqi, "Costa Navarino" për të cilin thotë se njëjtë si për rastin e Zvërnecit pati histori të ndryshme e paragjykime. 

Sipas Ramës, para se të ndërtohej ky projekt në Greqi, u tha se po vinte fundi i botës dhe se do zhdukej biodiversiteti. Ai shkruan se në fund resorti u ndërtua dhe gjeneron miliarda euro të ardhura për ekonominë greke. Ndërsa shton se i njëjti vizion është edhe për Zvërnecin dhe qëllimi është që ta shndërrojë këtë të fundit në destinacionin më tërheqës të Mesdheut. 

Kjo është e disata herë që Rama reagon pas protestës masive në Tiranë ku mijëra qytetarë pa parti politike i kërkuan dorëheqjen. Ndërsa dje e lidhi me një ndërhyrje të mundshme nga Greqia kundër këtij projekti, sot solli në publik resortin në shtetin fqinj duke e komentuar si histori suksesi. 

Postimi i plotë:

MIRËMËNGJES dhe me këtë histori të vërtetë nga fqinjët tanë të jugut, ju uroj ditë të mbarë. Costa Navarino mund të quhet ndryshe historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës, atyre që nuk ëndërrojnë po paragjykojnë ëndrrat e të tjerëve; nuk projektojnë po gjykojnë projektet e të tjerëve; nuk ndërtojnë po përgojojnë ata që ndërtojnë.

Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë.

Ndodhi në Greqi. Me Costa Navarinon.

Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës.
U tha se do të shkatërrohej natyra.
U tha se do të zhdukej biodiversiteti.
U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë.
U tha se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të varrosej nën pushtimin e betonit.

Peticione.
Protesta.
Kundërshti.
Debate.
Parashikime apokaliptike.

Me pak fjalë, repertori i zakonshëm i atyre që e kanë më të lehtë të venë kujën për fundin e një vendi, sesa për transformimin e tij.

Por në fund projekti u ndërtua.

Dhe sot?

Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës.
Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz.
Një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës.
Një rajon i vendosur si një perlë e rrallë në kurorën e turizmit botëror.
Mijëra vende pune të mirëpaguara.
Miliarda euro të gjeneruara për ekonominë.
Shumë biznese lokale që janë rritur përreth.
Prona që kanë fituar vlerë.
Një territor i tërë që ka ndryshuar rrënjësisht pa humbur ekuilibrin mes natyrës dhe komunitetit.

Dhe në këtë trajektore spektakolare transformimi ja edhe disa fakte kokëforta:

???? 75% më pak emetime operacionale karboni krahasuar me vitin 2019.
???? Mbi 185 mijë metra kub ujë të ricikluar dhe ripërdorur vetëm gjatë vitit 2024.
♻️ 72% më pak plastikë njëpërdorimëshe.
⚡ 100% energji elektrike nga burime të rinovueshme.

Të kuptohemi! Kjo histori e bukur e vendit fqinj, nuk do të thotë se çdo investim i madh është automatikisht i mirë. As se çdo shqetësim është pa vlerë. Përkundrazi. Por do të thotë se zhvillimi nuk mund të mohohet kurrë kategorikisht. Një projekt bashkëjetese i zhvillimit me natyrën nuk mund të paragjykohet asnjëherë arbitrarisht. Sepse po të ishte dëgjuar gjithmonë kori i atyre që thonë “nuk bëhet” se prishet, njerëzimi do të ishte ende duke diskutuar nëse ia vlen të shpiket rrota.

Nuk do të kishte aeroporte.
Nuk do të kishte porte.
Nuk do të kishte autostrada.
Nuk do të kishte qytete moderne.
Nuk do të kishim as vetë Europën që njohim sot.

Costa Navarino nuk është thjesht historia e një resorti më shumë. Është prova se kur vizioni, projekti, kapitali, teknologjia dhe përgjegjësia bashkohen në një ëndërr të madhe, mund të ndryshojnë fatin e një territori të tërë.

Po Shqipëria s’mund ta ketë “Costa Navarinon” e saj? Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht mu aty, në Zvërnec, po si e qysh kjo nuk ka lidhje me historinë e këtij postimi, po me historinë e një projekti që ka ambicien të krijojë destinacionin më tërheqës të kësaj ane të Mesdheut.

Poll