POLITIKË /

Reagojnë avokatët e huaj të Veliajt, dalin kundër SPAK: Konventa Evropiane nuk është respektuar

Përmes këtij reagimi, mbrojtësit ligjorë të Veliajt kanë mohuar kategorikisht akuzat dhe kërkojnë që paraburgimi të rishikohet, duke argumentuar se masat e marra janë të paarsyeshme dhe të padrejta, duke kërkuar kështu lirimin e tij.

Shkruar nga Versus

Reagojnë avokatët e huaj të Veliajt, dalin kundër SPAK:

Avokatët ndërkombëtarë të Erion Veliajt kanë reaguar pas vendosjes së tij si të pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke e akuzuar këtë institucion për shkelje të të drejtave themelore të klientit të tyre dhe për mbajtje të padrejtë në paraburgim. Sipas mbrojtjes, hetimi është zhvilluar në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokatët e Veliajt kanë theksuar se ndalimi i tij është “i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional”. Ata kanë nënvizuar se autoritetet nuk kanë justifikuar në mënyrë të mjaftueshme pse është e nevojshme që një funksionar i zgjedhur të mbahet në paraburgim, duke i pamundësuar ushtrimin e mandatit të tij.

Përmes këtij reagimi, mbrojtësit ligjorë të Veliajt kanë mohuar kategorikisht akuzat dhe kërkojnë që paraburgimi të rishikohet, duke argumentuar se masat e marra janë të paarsyeshme dhe të padrejta, duke kërkuar kështu lirimin e tij.

Reagim i avokatëve ndërkombëtarë të z. Veliaj:

Sot, 163 ditë pas ndalimit të z. Erion Veliaj, rezultatet e hetimit të zgjatur nga SPAK i janë dorëzuar nga ana e prokurorisë së posaçme. Avokatët e z. Veliaj mund të nisin tashmë shqyrtimin e provave të çështjes, të kundërshtojnë qëndrimin e SPAK-ut ndaj tij dhe të paraqesin prova në mbështetje të mbrojtjes.

Veliaj i mohon në mënyrë të prerë të gjitha akuzat për shkelje të ligjit. Ne mbetemi në bindjen se vijimi i ndalimit të z. Veliaj është i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional. Kemi shqetësime serioze se kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) nuk janë respektuar në rastin e tij. Fatkeqësisht, prej gati 3 muajsh, z. Veliaj është penguar të ketë akses te avokatët e tij ligjorë ndërkombëtarë, gjë që cenon seriozisht aftësinë e tij për të ushtruar të drejtat që i garanton KEDNJ-ja.

Si një funksionar i zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilit i është pamundësuar ushtrimi i mandatit, është thelbësore që SPAK të ketë vlerësuar domosdoshmërinë e vazhdimit të ndalimit të tij. Deri më sot, nuk ka asnjë provë që kjo është bërë.

Jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën se si është zhvilluar hetimi. Së fundmi, detaje në lidhje me përfundimin e hetimit dhe raportin e Prokurorisë janë rrjedhur në mediat shqiptare. Kjo rrjedhje informacioni është në përputhje me trajtimin që i është bërë z. Veliaj që prej ditës së arrestimit, ku të dhëna paragjykuese mbi hetimin e SPAK-ut janë publikuar vazhdimisht në hapësirën publike. Nga informacionet e marra prej avokatëve të tij vendas, kuptojmë se këto rrjedhje përbëjnë shkelje të sekretit hetimor sipas legjislacionit shqiptar.

Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me ekipin ligjor vendas të z. Veliaj dhe të ndjekim çdo mjet ligjor të mundshëm. /Versus.al/

 


 

Poll