Kryeministri Edi Rama mblodhi në Durrës kryetarët e bashkive të vendit, duke u vendosur atyre një ultimatum të prerë: deri ditën e hënë të shkarkojnë të gjithë kryetarët e njësive administrative dhe nënkryetarët e bashkive.
Ky urdhër është pjesë e një fushate për “ristrukturim total” të administratës vendore, pas kritikave të vazhdueshme për performancën e dobët në nivel lokal.
Por jo të gjithë kryebashkiakët janë të gatshëm ta zbatojnë këtë urdhër.
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, ka deklaruar se nuk do të shkarkojë nënkryetarët vetëm sepse këtë e kërkon kryeministri, duke theksuar se nuk vepron mbi bazën e urdhrave politikë. Ai shtoi se do të vlerësojë punën e stafit të tij bazuar në performancë, jo në direktiva të partisë.
Në një qëndrim më të moderuar, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, tha se nënkryetarët e tij janë të rinj në detyrë dhe se do t’i vlerësojë përmes performancës përpara se të marrë vendime për largim.
Këto deklarata pasojnë një valë kritikash publike nga kryeministri për administratën vendore, veçanërisht për mungesën e ujit të pijshëm, papastërtinë në qytete dhe shërbimet e dobëta ndaj qytetarëve. /Versus.al/







