Miratimi i minimumit jetik prej 200 eurosh, paga minimale 500 euro, paga mesatare 1200 euro, çmimi i energjisë 7 lekë/Kw/h. Këto ishin vetëm disa prej pikave kryesore të programit të Partisë Demokratike i prezantuar pasditen e së shtunës në Kuvendi Kombëtar të Partisë Demokratike.
Në nisje të prezantimit të programit elektoral për zgjedhjet e 11 majit, drejtuesi politik për Tiranën në Partinë Demokratike, Belind Këlliçi akuzoi qeverinë për një seri mashtrimesh ndaj shqiptarëve gjatë 12 viteve të fundit.
Duke falënderuar qytetarët e Tiranës, Këlliçi falënderoi qytetarët e Tiranës për pjesëmarrjen e tyre në hapjen e fushatës elektorale, duke theksuar se ata refuzuan tallavanë dhe politikat e dështuara të qeverisë.
Sipas tij, Rama ka ofruar një shërbim të dështuar për qytetarët në çdo sektor, duke përfshirë sigurimin e rendit dhe shëndetësinë.
Këlliçi denoncoi gjithashtu zhvatjen e pasurive të Shqipërisë dhe dështimin e premtimeve për legalizimet dhe investimet, duke i shpallur ato si manipulime të pasuksesshme që kanë dëmnuar qytetarët dhe ekonominë.
PROGRAMI
PD-ja parashikon në program se ndërhyrja e parë, emergjente dhe e drejtpërdrejtë është Paketa e Emergjencës. "Nuk mund të flasim për rritje ekonomike dhe turizëm ndërkohë që pensionistët, familjet e reja, të rinjtë jetojnë në kufirin e varfërisë dhe pabarazia sociale është e skajshme."
Masa e parë është miratimi i minimumit jetik prej 200 eurosh, i cili garanton se çdo pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike respekton dinjitetin njerëzor.
Paga minimale 500 euro, siguron çdo të ri apo punëtor në punët më të vështira se mund dhe duhet të ketë një shpërblim të denjë për djersën e vet.
Paga mesatare 1200 euro, i jep profesionistit në sektorin publik apo atë privat statusin që meriton dhe shanset reale për të mundësuar banim dhe mirëqenie për familjen e tij.
Çmimi i energjisë 7 lekë/Kë/h u mundëson qytetarëve të vendit me burime të mëdha hidrike që të paguajnë një çmim të drejtë, përkundër zhvatjes qeveritare të deritanishme.
Partia Demokratike angazhohet të rimëkëmbë sistemin shëndetësor:
Dyfishimi i buxhetit për shëndetësinë, sepse asnjë sistem shëndetësor serioz nuk mund të ngrihet mbi keqfinancim dhe mungesë të bazës materiale elementare.
Krijimi i një modeli të ri sigurimesh shëndetësore, që ofron më shumë mundësi dhe konkurrencë për pacientët.
Zgjerimi i listës së barnave të rimbursuara dhe garantimi i cilësisë së tyre, duke i dhënë fund ferrit të ilaçeve skadente dhe çmimeve të papërballueshme nga shtresat më të brishta ekonomikisht.
Programi për rininë, synon t’i japë fund dramës familjare dhe shoqërore të shpopullimit. Çdo prind meriton t’i ketë afër bijtë dhe bijat e veta. Çdo i ri meriton të ndërtojë të ardhmen në atdheun e vet, aty ku ka kujtimet, lidhjen emocionale dhe origjinën e pashkëputur kulturore.
Dyfishim i buxhetit për arsimin. Çdo teori zhvillimi apo ngritje sociale e vendos theksin te arsimi si faktor kyç. E nuk mund të ketë arsim modern pa një model serioz të financimit në nivelin e pagave, në shpërblim të kërkimit shkencor dhe në investime në pajisje dhe infrastrukturë arsimore.
Zërimi i taksave për 3 vite për bizneset e të rinjve. Të rinjtë shqiptarë e kanë dëshmuar në të gjithë botën se kanë shkëlqyer në rezultate studimi, pune dhe sipërmarrje. Është koha që këtë energji ta shfrytëzojmë në shtëpinë tonë.
1 çati për çdo çift. Saga e familjeve të reja për strehim duhet të marrë fund. Shteti duhet të marrë përgjegjësinë të financojë 20% të kredive dhe 30 mijë euro kredi pa interes për çdo çift.
