Në konferencën për gazetarët ku pjesa më e madhe e pyetjeve u përqendrua tek vota e Diasporës, kryekomisioneri zgjedhor Ilirjan Celibashi dha detaje edhe për shumën sesa pritet t’u kushtojë emigrantëve shërbimi postar për votën.
Ai tha se çmimi mesatar arrin deri në 4500 lekë të reja për një dërgesë me peshë 200 gramë. Në total është parashikuar që i gjithë procesi i kostos së dërgimit të fletëve të votimit me postë, të shkojë deri në 40 milionë euro për një numër votuesish prej 800 mijë personash.
“Cmimet e shërbimit postar janë publike, të miratuar nga AKEP. Ne kemi bërë llogaritë, kemi llogaritur një çmim mesatar që shkon deri në 4500 lekë për një dërgesë me peshë deri në 200 gramë. Kjo kosto është vetëm për dërgimin.
Bëhet fjalë për postë të gjurmueshme, për të cilën ne marrim konfirmim. Nëse flasim për postën ekspres, atëherë këto shifra janë dyfish. Pra e saktë është që është 4500 lekë për votues. Kemi llogaritur sikur 800 mijë votues do marrin pjesë në zgjedhje dhe kosto e shërbimit postar për dërgimin e fletës është 40 milionë euro, vetëm kosto e dërgimit” tha Celibashi.
Por më tej shtoi se kjo kosto mund të paguhet nga qeveria duke qenë se për herë të parë po zhvillohet një proces i tillë i votës së Diasporës.
“Kemi komunikuar me qeverinë dhe kryeministri ka bërë një deklarim publik që të paktën për këto zgjedhje posta e dërgesës të paguhet nga shteti shqiptar. Ata e dinë më mirë nëse janë paratë për ta bërë pagesën e këtij shërbimi”- shtoi kreu i KQZ. Versus.al