
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Feim Sufaj, ka dhënë detaje në lidhje me mënyrën se si funksionon sistemi i burgjeve në Shqipëri, konkretisht në rastet kur të dënuarit kërkojnë trajtime mjekësore apo estetike jashtë ambienteve të burgut.
Në një intervistë për emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Sufaj konfirmoi se ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka kryer një trajtim estetik për mbjellje flokësh gjatë kohës që ndodhej në burg.
Ai sqaroi më tej se edhe pse në praktikë shumica e të burgosurve trajtohen në spitale publike, në raste të veçanta lejohet trajtimi në klinika private, gjithmonë me shpenzimet e të dënuarit dhe me miratimin e strukturave përkatëse.
''Çdo i dënuar që merr statusin i dënuar apo i paraburgosur, mund ti kufizohet liria por i gëzon të gjitha të drejtat e tjera të trajtimit shëndetësor. Madje aktet e brendshme, rregullative, ligjore dhe ndërkombëtare i japin të burgosurit akses të vizitohet dhe në një klinikë private. Sigurisht duke marrë masat e sigurisë dhe duke parë dhe mundësitë tona për të bërë garantimin e tij. Gjithashtu nuk ka një kufizim që një person mund të dal për një trajtim estetik apo për një trajtim emergjent. Aktet rregullative parashikojnë të drejtën e të burgosurit për tu vizituar në një klinikë private kundrejt shpenzimeve të tij. Çdo qytetar që hyn në burg i hiqet vetëm liria por asgjë tjetër qoftë dhe marrëdhëniet intime'' deklaroi Sufaj. /Versus.al







