Ilir Alimehmeti, një prej kandidatëve më të votuar për deputet në Tiranë, ka folur sërish lidhur me lëvizjen e re të organizuar nga Ervin Salianji, pjesë e së cilës është edhe ai vetë.
Në A2CNN, Alimehmeti tha se nuk bëhet fjalë për një lëvizje “anti-kryetar”, por një lëvizje për të riorganizuar PD-në. Sipas tij, PD duket e përgjumur dhe ka nevojë që të reagojë fort që të përfaqësojë më së miri votuesit.
“Duhet të kuptojmë diçka të rëndësishme. Këtu ne nuk jemi duke folur për një diskutim politik, për një lidership politik apo për mendime politike të ndryshme. Pra nuk është një lëvizje e këtij tipi. Është një lëvizje që kërkon organizim. Pra ne po çojmë nevojën, pra kemi nevojë të riorganizohemi, kemi nevojë të ripërfaqësohemi. Sepse kështu siç jemi nuk po bëjmë dot maksimumin tonë.
Atëherë në këtë aspekt ne kemi nevojë për një organizim më të mirë. Sepse po dukej sikur ishte përgjumur situata dhe nuk shkon kjo. Është mandati i katërt që po qeveris Rama dhe nuk na lejohet kjo. Se nuk është as lëvizje anti-kryetar, sepse kanë dashur ta spostojnë vëmendjen këtu”, tha mes të tjerash Alimehmeti i cili është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Versus.al

