POLITIKË /

Samiti në Hagë do konfirmojë Shqipërinë si mikpritëse të samitit të NATO-s më 2027

Për vitin 2026, NATO ka vendosur që samiti të mbahet në Turqi, ndërsa viti 2027 i është rezervuar Shqipërisë – një njohje e rëndësishme për angazhimin e saj të vazhdueshëm në Aleancë që prej anëtarësimit në vitin 2009.

Shkruar nga Versus

 

Samiti në Hagë do konfirmojë Shqipërinë si

Shqipëria pritet të konfirmohet zyrtarisht si vendi mikpritës i Samitit të NATO-s për vitin 2027, një zhvillim historik për vendin dhe një sinjal i rëndësishëm i rolit të saj në strukturat euroatlantike.

Sipas draftit të deklaratës përfundimtare të Samitit të NATO-s, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, Shqipëria do të jetë nikoqire e ngjarjes më të rëndësishme vjetore të Aleancës Atlantike pas dy vitesh. Konfirmimi pritet të bëhet javën e ardhshme gjatë samitit të sivjetshëm që do të mbahet në Hagë, Holandë.

Për vitin 2026, NATO ka vendosur që samiti të mbahet në Turqi, ndërsa viti 2027 i është rezervuar Shqipërisë – një njohje e rëndësishme për angazhimin e saj të vazhdueshëm në Aleancë që prej anëtarësimit në vitin 2009.

Organizimi i samitit të NATO-s në Tiranë do të shënojë herën e parë që Shqipëria mirëpret një aktivitet të këtij niveli ndërkombëtar, me praninë e liderëve më të rëndësishëm të botës perëndimore, përfshirë presidentin e SHBA-së dhe udhëheqësit e vendeve anëtare.

Përgatitjet pritet të fillojnë që në vitin 2025, ndërkohë që qeveria shqiptare e ka përshkruar këtë zhvillim si një “moment historik për diplomacinë dhe sigurinë kombëtare”.

Kryeministri Edi Rama, në prononcimet e mëparshme për këtë çështje, ka theksuar se “Shqipëria është e gatshme dhe e përkushtuar për të qenë një vend pritës dinjitoz i NATO-s, duke reflektuar standardet më të larta të mikpritjes dhe organizimit ndërkombëtar”.

Në samitin e Hagës, pritet të diskutohen zhvillimet në Ukrainë, forcimi i krahut lindor të NATO-s dhe planet për sigurinë kolektive të Aleancës në vitet në vijim – në të cilat Shqipëria synon të luajë një rol më të dukshëm. /Versus.al

Tags:

samit hage

Poll