Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër ku sot do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit. Por gjatë ditës së djeshme ka shkaktuar mjaft reagime në Britani të Madhe për shkak të deklaratave të tij të ashpra kundrejt britanikëve dhe liderëve të Britanisë që dolën nga BE-ja.
Duke u kërkuar “ta mbyllnin atë dreq goje”, Rama tha se akuzat e tyre ndaj shqiptarëve për kriminalitet, nuk janë të arsyeshme, ndërsa sa i takon daljes së Britanisë nga BE, kreu i qeverisë tha se britanikët tashmë janë penduar dhe se janë në depresion.
Gazeta britanike “Express” i ka kushtuar një artikull deklaratave të Ramës dhe ka marrë edhe një prononcim nga një zyrtar i ministrisë së Brendshme i cili është shprehur si më poshtë:
“Edi Rama nuk e ka idenë se për çfarë po flet. Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur me turma në Mbretërinë e Bashkuar. Ai duhet të shpenzojë më pak kohë duke folur dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona”.
Kryeministri Edi Rama sot do të marrë pjesë në samitin që do të drejtohet nga kryeministri britanik Keir Starmer në kuadër të Procesit të Berlinit. Versus.al







