Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare që nis në orën 10:00. Rendi i ditës përmban miratimin e disa proces verbaleve si dhe diskutimi i raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për veprimtarinë gjatë 2023-it.
Gjithashtu në rend dite është edhe një interpelancë e deputetit Agron Shehaj me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaron lidhur me skandalin e publikuar një muaj më parë mbi transportin e mbetjeve toksike.
Megjithatë, ashtu si në dy seancat e kaluara, më 30 shtator dhe 3 tetor, edhe sot pritet që deputetët e Partisë Demokratike të vijojnë me aksionin e tyre të dhunshëm opozitar të rinisur pas dënimit me 1 vit burg të Ervin Salianjit, i cili tashmë e ka humbur edhe mandatin e deputetit. Seanca e planifikuar për t’u zhvilluar më 10 tetor, nuk u zhvillua për shkak të vizitës së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në vendin tonë.
Demokratët e konsideruan si shkelje të kushtetutës anulimin e seancës për vizitën e Erdogan duke argumentuar se mund të ishte zhvilluar pasdite.
Ndërkohë për kaosin në Kuvend që kulmoi me djegien e karrigeve, aktualisht janë të përjashtuar 23 deputetë të opozitës mes të cilëve, Bardhi Noka dhe Nallbati të përjashtuar secili me nga 60 ditë ndërsa kolegët e tyre me nga 40 ditë. I vetmi që i shpëtoi një përjashtimi kaq të gjatë ishte deputeti Edi Paloka i cili u përjashtua vetëm me 10 ditë. Dje Kuvendi publikoi shifrën e dëmeve që duhet të shlyejnë deputetët demokratë, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati dhe Elda Hoti me faturën prej 764 mijë lekësh për djegien e karrigeve dhe dëmtimin e mikrofonave e tapetit ceremonial. Versus.al








