POLITIKË /

SHBA u rikthye në SPAK, Berisha nuk ndryshon qëndrim: S'pranojmë drejtësi politike, duhet reformim me 'Venecian'

Sipas kryetarit të PD, arrestimet dhe dënimet e zyrtarëve të lartë, po bëhen për statistikë. Ndërsa qytetarët presin me vite të tëra për të pasur një vendim gjykate.

Shkruar nga Versus
SHBA u rikthye në SPAK, Berisha nuk ndryshon qëndrim:
Kreu i PD, Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar me qëndrimet e tij lidhur me SPAK e GJKKO duke pretenduar se ka nevojë për një rireformim të institucioneve të drejtësisë me anë të Komisionit të Venecias.

Sipas tij, dënimet e zyrtarëve po përdoren si statistika, ndërsa tha se kjo gjë ka dëmtuar klimën e biznesit. Berisha tha se dosjet po bëhen gjithmonë e më të mëdha, por qytetarët nuk marrin zgjidhje për të drejtat e tyre.

“Po dënohen zyrtarë, për zyrtarë mbani një statistikë ju lutem, Kina komuniste dënon më shumë se çdo vend tjetër, por dënon edhe politikisht, ndaj edhe quhet diktaturë komuniste. E sjell këtë shembull sepse shqiptarët kanë nevojë urgjente për një rireformim të këtij sistemi me Komisionin e Venecias.

Sepse ky ortek po bëhet gjithnjë e më i madh. Dosjet po bëhen gjithnjë e më të mëdha, biznesmenët, qytetarët nuk marrin të drejtat e tyre. Ju jap shembullin e Kinës, Kina është më e ashpra për dënimet për korrupsion, por Kina jep edhe dënime politike. E vërteta është se ka një klimë biznesi të pakrahasueshme sepse nuk pret kush 10 vite. Sepse një biznesmen falimenton për 10 vite”- tha Berisha.

Duke i konsideruar çështjet e nisura nga SPAK si “drejtësi politike”, Berisha tha se nuk mjafton dënimi i disa zyrtarëve ndërkohë që qytetarëve u duhet të presin dhjetëra vite për një vendim.

“Sigurisht ne e ngremë zërin tonë sepse nuk mund të pranojmë një drejtësi politike, por ju si biznes, qytetarët duhet të ngrenë çështjen se atyre u mungon procesi ligjor që është një e drejtë themelore e tyre.

Prandaj këtu duhet një partneritet i përbashkët, t’i themi gjërat siç janë. Dakord, u dënuan disa zyrtarë, por kjo nuk justifikon që të presë një popull i tërë për një proces 10 vite, 15 vite.

Jemi këtu, 62 përqind e të burgosurve në Shqipëri janë të paraburgosur, për definicion të pafajshëm, të padënuar. Ne u bëmë një vend, kape e fute sepse nuk ka gjykatës për ta shqyrtuar, nuk ka prokuror për të ndjekur dosjen”- shtoi kryedemokrati.

Deklaratat e Berishës vijnë pavarësisht rikthimit të ekspertëve amerikanë në SPAK ditën e sotme. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: