Posta DHL i ka kërkuar Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve një shumë prej 9.2 milionë eurosh për shërbimin e transportit të zarfeve me fletët e votimit për diasporën.
Më 14 prill nisi shpërndarja e zarfeve me fletët e votimit për rreth 200 mijë emigrantë shqiptarë që jetonin në shtete të ndryshme të botës.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se KQZ i ka kërkuar postës që të japë detaje mbi faturat e shpërndarjeve në çdo shtet, duke theksuar se nuk do të bëjë pagesë për zarfet pa firmë.
Kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije më herët se qeveria ka vendosur në dispozicion të institucionit shumën prej 5 milionë eurosh për koston e shërbimit postar të dërgimit dhe kthimit të zarfeve me votën e diasporës.
Si përfundim, 195.853 zarfe të diasporës mbërritën dhe u numëruan në Shqipëri. Në total 245.935 emigrantë shqiptarë ishin regjistruar për të votuar. Ndërsa 18 mijë zarfe nuk u shpërndanë dot nga posta.
Ndërkohë, opozita ka patur akuza të vazhdueshme sa i takon votës së diasporës në Greqi duke pretenduar se në zyrat e postës janë paraqitur persona të paautorizuar për të marrë zarfet e votimit edhe për persona të tjerë të cilët kur kanë shkuar më pas nuk e kanë gjetur zarfin e tyre. Versus.al







