POLITIKË /

Shpresa e fundit e Lapajt flet për herë të parë: Çfarë do bëjë Ana Dajko me mandatin?

Ndërkohë që zonja Dajko nuk ka reaguar publikisht, djali i saj, Vasil Dajko – njëkohësisht anëtar i kryesisë së “Lëvizjes Shqipëria Bëhet” – ka deklaruar për Euronews Albania se mandati i përket Adriatik Lapajt, si kandidati më i votuar në listën e koalicionit.

Shkruar nga Versus

Shpresa e fundit e Lapajt flet për herë të parë:

Marrëdhëniet mes dy ish-aleatëve politikë, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, janë përkeqësuar pas zgjedhjeve të 11 majit, duke sjellë një krizë të brendshme në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”. Shkak është bërë një kërkesë nga Zeqir Kordhoni, daja i Shabanit, i cili ka pretenduar se ka nënshkruar dorëheqjen nga kandidimi pa qenë i ndërgjegjshëm për aktin që po firmoste.

Ky zhvillim ka krijuar një situatë të ndërlikuar për ndarjen e mandatit të deputetit, ndërsa Adriatik Lapaj e shikon si të vetmen zgjidhje ruajtjen e mandatit përmes kandidates së parë në listën e mbyllur, Ana Dajko.

Ndërkohë që zonja Dajko nuk ka reaguar publikisht, djali i saj, Vasil Dajko – njëkohësisht anëtar i kryesisë së “Lëvizjes Shqipëria Bëhet” – ka deklaruar për Euronews Albania se mandati i përket Adriatik Lapajt, si kandidati më i votuar në listën e koalicionit. Ai shtoi se nëna e tij do të ndjekë vendimet e strukturave drejtuese të lëvizjes.

“Ana Dajko, ashtu si 45 kandidatë të tjerë, ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi përpara shpalljes së rezultateve. Mandati i takon zotit Lapaj dhe çdo vendim i mëtejshëm do të merret nga Kryesia e Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’,” u shpreh ai.

Ana Dajko, 60 vjeçe, është vetëpunësuar, me arsim të mesëm, dhe ka lidhje familjare me Adriatik Lapajn. Në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje mes Lapajt dhe Shabanit, pritet që ajo të pranojë mandatin, për të mos lejuar që ai t’i kalojë Livia Stravit, kandidate e dytë dhe bashkëshortja e Shabanit.

Ky zhvillim pritet të trazojë më tej ujërat në kampin opozitar, duke vënë në pikëpyetje bashkëpunimin e ardhshëm mes dy figurave që dikur u panë si shpresë për një alternativë të re në politikën shqiptare. /Versus.al

Poll