
Sekretari i Përgjithshëm i partisë “Shqipëria Bëhet”, Elton Laska, ka bërë të ditur se deputetja e kësaj force politike, Ana Dajko, do të pozicionohet në Kuvend përkrah Sali Berishës.
Në një intervistë, Laska theksoi se statuti i partisë e përcakton qartë identitetin e saj si forcë e djathtë, e cila do të votojë kundër mazhorancës aktuale.
“Ne jemi forcë e djathtë, e kemi të përcaktuar në statut. ‘Shqipëria Bëhet’ është një lëvizje politike që i përket qendrës dhe qendrës së djathtë. Do të ngremë kartonin kundër grabitjes së ujit në zonat malore dhe privatizimit të bregdetit”, u shpreh Laska.
Edhe më herët, një tjetër përfaqësues i kësaj force politike, Elvis Çela, kishte deklaruar afërsinë e “Shqipëria Bëhet” me Sali Berishën, duke e cilësuar atë dhe Partinë Demokratike si “simbolin e së djathtës shqiptare në modernizëm”.
Deputetja Ana Dajko, e zgjedhur nga kjo parti në zgjedhjet e 11 majit 2025, pritet të përfaqësojë në Kuvend krahun e qendrës së djathtë dhe të mbështesë opozitën e drejtuar nga Berisha.







