
Lëvizja Shqipëria Bëhet ka marrë një pozicion të caktuar në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen për bashkinë e Tiranës më 9 nëntor duke deklaruar mbështetjen e kandidatit të pavarur, Florian Binaj.
Kreu i partisë, Adriatik Lapaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shprehu vlerësimin edhe për figurat e tjera publike që kanë deklaruar kandidimin e pavarur, ndërsa shkruan se partia ka vendosur të mbështesë Binajn u bazuar në parimin që "Shqipëria vlen mbi partinë".
“Dy ditë më parë propozuam që kandidatët për bashkitë në këto zgjedhje për shkak të situatës së jashtëzakonshme duhet të vinin nga radhët e qytetarëve të angazhuar dhe jo nga marrëveshjet e partive politike.
Deklaruam se do të mbështesnim një prej kandidatëve të pavarur që do të shpallnin kandidimin në këto zgjedhje.Duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që janë deklaruar, kryesia e Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj. Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja që Shqipëria vlen mbi partinë”- shkruan Lapaj në rrjetet sociale.
Kujtojmë që Binaj fillimisht së bashku me Edlira Çepanin, një prej emrave të përfolur si kandidate e pavarur, kanë qenë pjesë e partisë “Shqipëria Bëhet”, por u larguan në heshtje pa dhënë detaje mbi arsyet e distancimit të tyre. Versus.al







