
Kryeministri Edi Rama, në podcastin e radhës “Flasim”, foli për integrimin dhe faktin që Shqipëria është më pranë se kurrë anëtarësimit në BE.
Rama tha se, "është domethënëse që Bashkimi Europian konfirmon faktin e përmbushjes së suksesshme të të gjitha detyrave të deritanishme, pikërisht në ato fusha që lidhen me drejtësinë, me luftën kundër korrupsionit dhe me funksionimin e institucioneve demokratike".
“Javën që lamë pas, pikërisht më 26 maj, si për një ironi apo buzëqeshje të fatit, 30 vjet pas 26 majit të dhunës, të përgjakjes së opozitës, të grabitjes së votave dhe të vulosjes së një sundimi autokratik me tipare diktatoriale në Shqipëri, erdhëm në ditën kur Shqipëria hyri në fazën e re dhe të fundit të rrugëtimit të saj europian, duke mbyllur fazën e çeljes së kapitujve të negociatave dhe duke hapur fazën e mbylljes së tyre.
Pra, më 26 maj, Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë ndonjëherë në këtë të përpjetë të mundimshme historike dhe tanimë maja ku do të ngjitemi së bashku dhe do të vendosim flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit, duke i dhënë kuptim dhe duke i dhënë sens të plotë një historie të stërgjatë ëndërrimi për Bashkimin Europian sot, por për atë që ishte hapësira e diellit që lind andej nga perëndon deri dje, është më afër se asnjëherë.
Menjëherë pas asaj dite të shënuar në Bruksel, ku hymë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ne jemi ulur dhe kemi miratuar disa vendime të rëndësishme që lidhen me Shqipërinë që duam të ndërtojmë deri në fund të kësaj dekade.
Një Shqipëri për të cilën puna përqendrohet sigurisht te përmbushja e objektivave që kanë të bëjnë me mbylljen e 33 kapitujve të negociatave sipas kalendarit të dakordësuar, në mënyrë që të realizojmë objektivin, por njëkohësisht një Shqipëri që, në këtë kontekst, me Udhërrëfyesin Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, një dokument i miratuar menjëherë pas Brukselit që përcakton objektiva konkrete dhe të matshme për zhvillimin e vendit në vitet që vijnë, ne në thelb realizojmë një plan që orienton institucionet tona drejt prioriteteve të lidhura me ekonominë, me arsimin, shëndetësinë, mjedisin, mirëqeverisjen dhe, në tërësi, cilësinë e jetës.
Po ashtu, kemi iratuar edhe një partneritet strategjik me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027–2031, për një bashkëpunim që do ta mbështesë Shqipërinë në disa prej fushave më të rëndësishme të zhvillimit, duke filluar nga kapitali njerëzor dhe transformimi ekonomik, te rritja e gjelbër, drejtësia gjithmonë dhe padyshim, si dhe, në tërësi, forcimi i institucioneve. E solla këtu, në këtë shënim, këtë moment, sepse shpesh integrimi europian, rruga e negociatave, përmbushja e detyrave për kapitujt përkatës, shihen vetëm si një proces i ndarë, si një proces që lidhet me ndërveprimin mes nesh dhe Komisionit Europian, por në fakt integrimi është shumë më tepër se kaq. Ai lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me aftësinë tonë për të ndërtuar institucione më të forta, për të investuar te njerëzit, për të planifikuar zhvillimin afatgjatë, por edhe me domosdoshmërinë për ta përgatitur Shqipërinë, për ta jetësuar në hapësirën e republikës sonë vendin e standardeve dhe të përgjegjësive të shtetit në raport me qytetarin dhe të qytetarit në raport me shtetin, e të dyve bashkë në raport me të nesërmen e atdheut”, tha Rama. Versus.al

