
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mblidhen sot në seancën e radhës plenare, ku në fokus pritet të jenë interpelancat dhe shqyrtimi i disa projektligjeve të rëndësishme.
Në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Njëra është kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho, e cila kërkon sqarime për sigurinë në shkolla pas disa ngjarjeve të rënda ku të mitur kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve me bashkëmoshatarët.
Tjetra është kërkuar nga deputeti Erald Kapri, i cili kërkon të dijë masat që ka marrë qeveria për të adresuar fenomenin e dhunës në ambientet shkollore.
Ndërkohë, deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, për të marrë shpjegime lidhur me funksionimin jo të plotë të shërbimit në qendrën shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”.
Seanca do të shqyrtojë gjithashtu një sërë nismash ligjore dhe projektvendimesh, mes tyre ndryshime në ligjin për akcizat, shtesa në ligjin për TVSH-në, amendime në ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe projektligjin për shërbimin e jashtëm.
Në votim do të kalojnë edhe vendime që lidhen me strukturën dhe pagat e personelit me kohë të pjesshme të angazhuar në përpunimin e materialeve zgjedhore në KQZ, si dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare.
Klima politike pritet të jetë e tensionuar pas protestës së Partisë Demokratike dy ditë më parë, e cila u shoqërua me incidente dhe përplasje, ku u raportua për dhunë ndaj forcave të policisë dhe përfaqësuesve të medias.
Seanca plenare është caktuar të nisë në orën 10:00, ndërsa administrata e Kuvendit është ngarkuar me publikimin e rendit të ditës, njoftimin elektronik të deputetëve dhe përgatitjen e dokumentacionit përkatës./Versus.al

