
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference për mediat u pyet nëse do të paraqitet nesër në SPAK në orën 10:00 sipas fletëthirrjes për 21 janarin, ngjarjen e ndodhur në 2011-ën, ku u vranë 4 protestues gjatë kohës që PD ishte në pushtet.
Berisha tha se ishte i gatshëm t’u përgjigjej thirrjeve nga organet e drejtësisë, por pretendoi se në banesën e tij nuk ka mbërritur një njoftim i tillë.
“Mund t’ju pohoj atë që kam thënë. I jam përgjigjur gjithë jetën time çdo thirrje të organeve të drejtësisë dhe do të përgjigjem. Nuk mund të ketë koment. Por ka vetëm një kusht, që unë të marr thirrjen. Ata që përdorin këtë propagandë për të mbuluar skandalin Rama-Balluku të tunelit të Llogarasë, ata tregojnë se janë shërbëtorë mjeranë të një bande që vjedh ditë e natë qytetarët”- tha Berisha.
Sipas tij, çështja e 21 janarit për të cilën ai thotë se ka kërkuar hetim të plotë, rikthehet në vëmendje me qëllim për të zbehur skandalet e qeverisë.
“Njoftimi duhet të vijë siç kanë ardhur me dhjetëra njoftime të tjera. Kurse përdorimi i kësaj është akt i shëmtuar i Altin Troplinit, një mercenar i regjimit të Edi Ramës”- shtoi kryedemokrati. Versus.al

