POLITIKË /

SPAK nxjerr bllof Berishën për 21 janarin: I kemi dërguar 2 fletëthirrje! Rojet dhe PD nuk morën zarfet

Shkruar nga Versus

SPAK nxjerr bllof Berishën për 21 janarin: I kemi dërguar 2

Pas pretendimeve të Sali Berishës i cili shprehej i bindur se nuk kishte marrë asnjë fletëthirrje nga Prokuroria e Posaçme për t’u paraqitur lidhur me “21 janarin”, ka ardhur reagimi i SPAK-ut.

Në njoftimin për mediat, bëhet me dije se Berishës i janë dërguar deri më tani dy fletëthirrje për t’u paraqitur në SPAK, por herën e parë fletëthirrja nuk u mor nga rojet në banesën e tij, ndërsa herën e dytë, më 12 nëntor grupi parlamentar i PD nuk ka pranuar të merrte fletëthirrjen.

Më tej thuhet se do të vijohet me procedurat ligjore për thirrjen e Berishës, duke lënë të kuptohet se nëse refuzon të paraqitet edhe pas fletëthirrjes së tretë, atëherë do të shoqërohet nga policia.

Reagimi i SPAK për fletëthirrjen ndaj ish kryeministrit Berisha për 21 janarin:

Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).

Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin:

“Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”

Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.

Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Përmes shkresës  është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit:

[email protected], më datë 10.11.2025.

Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi. Versus.al

Poll