Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në një konferencë të organizuar sot për startup-et dhe investitorët në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Europian.
Rama tha se pjesë e nismës të bërë janë 161 ide të paraqitura dhe fituesi do të shpërblehet edhe duke shkuar në Finlandë ku do të mbrojë pikëpamjet e tij ose siç tha kryeministri “duke luftuar me mullinjtë e erës”.
“Këtu më thanë që janë 161 ide të paraqitura. Është bërë një seleksionim paraprak, do vazhdojë një garë tjetër në dijenin time dhe ndërkohë njëri do të shpërblehet me një vajtje në Finlandë për të marrë pjesë atje në një nga këto betejat që zhvilloni ju me mullinjtë e erës”- tha Rama.
Ndërsa u shpreh se Shqipëria me anë të tenkologjisë dhe inteligjencës artificiale ka mundësi të arrijë gjëra të cilat më së pari do të arriheshin nga vendet e zhvilluara duke bërë që vendet në zhvillim të mbeteshin gjithmonë më mbrapa.
"Një gjë është e sigurtë, kam më shumë besim se të gjithë tjetër që ju mund të takoni. Është një bekim i madh për ne që jetojmë në këtë kohë kur teknologjia digjitale dhe tani edhe inteligjenca artificiale na japin një mundësi pa të cilën ne nuk do mund të ëndërronim që të kapnim majat. Sepse do duhet t’i nënshtroheshim progresit linear të zhvillimit i cili impononte që vendet në zhvillim të mbeteshin gjithmonë mbrapa atyre të zhvilluara sepse çdo gjë e re që zhvillimi sillte, u takonte atyre më përpara dhe më pas vinte tek ne.
Sot është krejt ndryshe, madje duke qenë se burokracia jonë se strukturat tona nuk janë aq të sofistikuara dhe të rënda e solide sa në vende si Gjermania apo Franca, atëherë bëhet më e lehtë që ne t’u drejtohemi këtyre zgjidhjeve për të kaluar në faza të reja zhvillimi. Duke qenë se këtu në këtë pikë fokusohet edhe ambicia për zhvillime befasuese, kjo ju bën të gjithëve juve jashtëzakonisht të rëndësishëm”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al







