POLITIKË /

"Sy magjik", Rama për "Smart City"-n: Do rritet siguria në shkolla, s'do ketë shoferë që qarkullojnë pa paguar taksa

Projekti do të nisë zbatimin menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes.

Shkruar nga Versus

"Sy magjik", Rama për "Smart City"-n: Do rritet siguria

Kryeministri Edi Rama ka folur për planin “Smart City” që nis zbatimin së shpejti me 5 mijë kamera në 20 qytete. Ai tha se ky lloj projekti do të zgjidhë shumë problematika duke nisur që nga problemet më të thjeshta si identifikimi në kohë reale i shoferëve që nuk kanë paguar taksat, e deri tek problematikat më të mëdha.

“Është një sy që shikon gjithandej në të njëjtën kohë dhe mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm për të sinjalizuar problemin. Në këtë mënyrë nuk ka nevojë të presim nga postblloqet e policisë të zbulojnë makinat e paregjistruara. Nuk ka nevojë të presim nga drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor të Shqipërisë të mbledhë taksat e papaguara të drejtuesve të automjeteve që në të kundërt mund të vazhdojnë të drejtojnë makinat pa u regjistruar dhe pa paguar taksat. Të gjiha këto informacione vijnë në kohë reale dhe policia ndërhyn për të zbatuar ligjin bazuar në këto informacione”- tha Rama.

Sipas tij, sistemi do të sjellë transparencë shumë më të madhe edhe në radhët e policisë së shtetit duke bërë që çdo debat që efektivi do ketë me qytetarin, do përcillet në sallën operative.

“Nuk ka nevojë që dikush të filmojë me kamera një punonjës policie që nuk përmbush standartet e komunikimit të një nxënësi të klasës së parë. Sepse në kohë reale kamera e trupit e një polici që është duke debatuar me një qytetar sjell debatin në sallën operative.  Bëhet e pamundur që kamerat të fiken e të ndizen sipas dëshirës sepse një kamera e fikur sinjalizohet menjëherë në qendër”- u shpreh kryeministri.

Ndërsa shtoi se me këtë sistem edhe siguria në shkolla ndryshon pasi do të ketë monitorim gjatë gjithë kohës për sigurinë e nxënësve, prindërve dhe mësuesve.

“Siguria në shkolla ndryshon rrënjësisht. Shembulli i miqve nga Emiratet të cilët shumë bujarisht na e vunë në dispozicion këtë teknologji që është e natyrës strategjike. Është një shembull kuptimplotë që prej se ky sistem ka hyrë në shkolla jo vetëm që kanë rënë në mënyrë drastike krimet e çfarëdo natyre, por mendojeni pak, kanë rënë në mënyrë drastike edhe mungesat në shkolla. Jo vetëm kaq, por edhe kopjet në shkollë. Jo vetëm kjo, por edhe shfaqjet e kthimit të klasës në një kënd lodrash sepse i gjithë sistemi funksionon për mësuesin, prindin dhe për shkollën e ministrinë e Arsimit”- shtoi Rama. Versus.al

Poll