
Alba Kokalari, shqiptarja e cila përfaqëson Suedinë si eurodeputete në Parlamentin Europian ka qenë e pranishme sot në takimin e 20-të të komitetit të Stabilizim Asocimit ku ka deklaruar se momenti aktual është historik për vendin pasi të gjithë shtetet anëtare e duan anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Por ajo theksoi se duhet që për këtë gjë, edhe Shqipëria të vijojë të zbatojë ligjet që e mundësojnë realizimin e këtij rrugëtimi.
“Është krenari që te jem këtu sot, në rrënjët e mia. Do u thoja edhe opozitës dhe mazhorancës, që jeni në një moment historik të Shqipërisë dhe këtë po e them jo vetëm si përfaqësuese e Suedisë por edhe me gjithë zemër që kam vend.
Për gjenerata Shqipëria ka luftuar kundër shtypjes dhe tani ju e keni mundësinë më të madhe që Shqipërinë ta ktheni aty ku e ka vendin, në BE. Për disa vite ju mund të bëheni kolegët tanë në BE. E di që keni pasur debat deri në orën 2, është mirë që Parlamenti tenton që të funksionojë, por do te thoja që ajo që ju po tentoni të bëni ju tani, do të shkojë përtej mandatit tuaj.
Kjo është një punë që do bëhet për gjenerata të tëra që do të vijnë dhe ju inkurajoj që të leni anash mosmarrëveshjet politike dhe të bëni atë që është e nevojshme për vendin tuaj. Unë nuk kam parë një moment të tillë në BE, ku të gjithë e duan Shqipërinë në BE. Të gjithë në Bruksel flasin se duhet ta marrim Shqipërinë në BE-në dhe tani është në dorën tuja. Kjo është një punë e mirëfilltë. Ju duhet të miratoni ligje dhe t’i zbatoni ato. E di që zbatimi nuk është i lehtë, se edhe ne në BE kemi probleme me zbatimin”, tha Kokalari. Versus.al
