POLITIKË /

‘’Të heqim barrierat tregtare’’, Macron me kritika për demokracinë dhe zgjedhjet: Po minohen!

Shkruar nga Versus

‘’Të heqim barrierat tregtare’’, Macron me kritika

Presidenti i Francës, Emanuel Macron ishte më i drejtëpërdrejtë në fjalën e tij gjatë diskutimeve në samitin e Komunitetit Politik Europian që mbahet sot në Tiranë.

Ai tha se duhet që shtetet e Evropës të kenë një bashkëpunim më të madh sa i takon luftës kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Ndërsa ngriti shqetësimin e ndikimit të huaj në demokracitë e vendeve të kontinentit përgjatë zgjedhjeve që mbahen.

‘’Kemi të pranishëm anëtarë të NATO-s këtu, por na duhet një shtyllë e fortë europiane në NATO. Evropa ka shumë rëndësi sot sa i takon trajtimit të sigurisë tonë. Ky komunitet i sjell siguri njerëzve tanë kur vjen puna për luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Do doja të ndërtojmë një koalicion shtetesh dhe agjencish europiane për të luftuar trafikun e drogës në porte e lumenj, sepse i gjithë ky trafikim është i ndërlidhur.

Më tej, kemi të bëjmë me sigurinë tonë demokratike. Munda ta kuptojmë nga zgjedhjet e fundit në Rumani e Moldavei. Ka kërcënime që po minojnë demokracinë tonë. Këto krijojnë manipulime gjatë zgjedhjeve, ka ndërhyrje të huaja konstate dhe këto po minojnë demokracitë tona. Ne kemi nisur një nismë për të rritur bashkëpunimin tonë. Por duhet bërë më shumë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, sulmet online dhe të gjurmojmë atë çfarë i ushqen këto sulme hibride’’- tha Macron.

Sipas kreut të shtetit më të rëndësishëm të BE, një pikë tjetër e rëndësishme është edhe ajo ekonomike. Macron tha se duhet të ketë heqje të barrierave tregtare në mënyrë që tregu europian të funksionojë si një i vetëm për 700 milionë banorët.

‘’Pika e fundit është siguria ekonomike. Deri më tani nuk kemi kuptuar mjaftueshëm se përfaqësojmë mbi 700 milionë banorë. është një treg i jashtëzakonshëm, më i madh se ai amerikan. Po të shihni nivelin mesatar, është edhe më me ndikim sesa tregu kinez. Na duhet të rrisim bashkëpunimin dhe të punojmë duke hequr barrierat tregtare. Të sigurohemi që të jemi më të bashkuar edhe nga pikapamja tregtare’’- deklaroi presidenti francez. Versus.al

Poll