Përplasjet mes Adriatik Lapajt, mbështetësve të tij dhe policisë kanë vijuar edhe mbrëmjen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama, ku aktivistët po protestojnë prej ditësh.
Shkak për tensionet është bërë rrethimi i trotuarit nga ana e protestuesve, të cilët kishin vendosur kartonë dhe karrige për të qëndruar ditë e natë në vendprotestim, si mbrojtje nga i ftohti.
Nga pamjet në terren shihet se një numër i konsiderueshëm efektivësh policie janë afruar dhe kanë prishur kartonët e vendosur nga protestuesit, duke marrë edhe sende të tjera dhe duke i ngarkuar në një automjet për t’i larguar nga zona.
Ndërkohë, në një moment kur kryeministri Edi Rama ka lënë ambientet e Kryeministrisë, protestuesit e grumbulluar në bulevard kanë thirrur në një zë: “Edi Rama o hajdut”.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, një prej aktivistëve është shoqëruar në Komisariatin nr. 1. Pas këtij momenti, Adriatik Lapaj dhe mbështetësit e tij janë nisur drejt këtij komisariati për të vijuar protestën.
Adriatik Lapaj kishte nisur këtë formë proteste më 8 dhjetor, kur vendosi i vetëm të qëndronte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara zyrës së kryeministrit. Më pas atij iu bashkuan mbështetës të partisë së tij dhe aktivistë të tjerë./ Versus.al

