POLITIKË /

“U krye edhe kjo punë”, Sali Berisha rikthehet në selinë e PD: Tani e tutje, veprimi do jetë kryefjalë

Shkruar nga Versus

“U krye edhe kjo punë”, Sali Berisha rikthehet në

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u rikthye në selinë blu pasi u lirua nga arresti shtëpiak 11 mujor me vendim të GJKKO. Në fjalimin e mbajtur para qindra mbështetësve të mbledhur në selinë blu plot Berisha tha se vendimi i sotëm e Flojera Davidhit, u jep shpresë shqiptarëve duke e cilësuar këtë si “ditë të mirë për demokracinë”.

“U krye edhe kjo punë. Piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane pas luftës së 2 botërore mori sot goditjen më fatale. Sot Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë. Sot është dita kur monstra e demokracisë Edi Rama dhe Xhorxh Soros dështuan përfundimisht në tentativën për të shkatërruar opozitën shqiptare. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët pas një kohe të gjatë që vendi ishte zhytur në errësirë. Sot është ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë. Sepse sot nuk ka fituar Sali Berisha, por kushtetuta”- u shpreh Berisha.

Ai tha se në vazhdim kryefjala e PD do të jetë veprimi. Ndërsa pati edhe falenderime për qytetarët që e mbështetën gjatë arrestit shtëpiak duke u mbledhur poshtë banesës së tij çdo natë. Një falenderim e bëri edhe për gjyqtaren Davidhi.

“Tani e tutje, veprimi do jetë kryefjalë e Sali Berishës, por ka ende disa mesazhe të rëndësishme të cilat dua t’ua them shqiptarëve. Falenderoj familjen time që mori një dozë të madhe të kësaj sacrifice. Falenderoj ata qytetarë të cilët qëndruan çdo natë poshtë banesës sime.

Falenderoj gjykatësen që nderoi ligjin dhe moralin e kushtetutës. Uroj që ligji dhe morali të udhëheqë çdo punonjës të shtetit shqiptar. U përpoqën të asgjësojnë politikisht Sali Berishën sepse vendosi të luftojë për ju. U përpoqën të fshinin pluralizmin. U sulmuam nga mafia më e rrezikshme në planet, mafia e Edi Ramës dhe George Soros. Nuk ka shumë opozita që t’ja dalin ndaj një sulmi të tillë, por ne ia dolëm triumfuam”- shtoi ai.

Ish-kryeministri u shpreh i sigurt se vendimi i sotëm është vijim i rrugës së duhur për ta sjellë opozitën në pushtet. Ndërsa pati edhe një thirrje për kryeministrin Edi Rama të cilit i kërkoi krijimin e një qeverie teknike për të pasur zgjedhje të lira në vend.

“Tashmë e kemi shtruar rrugën që do sjellë PD-në dhe opozitën shqiptare në pushtet. Na përçanë dhe u bashkuam. Të gjithë deputetët sot janë bashkë, janë në këmbë. Na vodhën flamurin e partisë, por ne e fituam sërish. Sot kemi mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që kemi patur ndonjëherë.

Kam edhe një fjalë të fundit për autorin e grushtit të shtetit. Krijo qeveri teknike, mos e zvarrit kot narkopushtetin tënd se vetë Zoti e ka thënë që të kthehem unë pastroj shtëpitë, ne do pastrojmë shtëpinë tonë. Me ndihmën e Zotit dhe besimin në vlerat tona. Krijo qeveri teknike se mosbindja civile është gati në radhë. Këta njerëz do kenë liderin e tyre me vete. Piramida jote e mashtrimit sot u shkërmoq përfundimisht. Do përgjigjesh për grushtin e shtetit dhe për atentatin kundër meje”- tha Berisha në mbyllje të fjalës së tij.

Pas fjalimit, kryedemokrati u fut në seli ku do të zhvillohet edhe mbledhja e grupit parlamentar për vijimin e mëtejshëm të mosbindjes civile. Versus.al

Poll