Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryetari i PD Sali Berisha është liruar sot nga arresti shtëpiak me vendim të Gjykatës së Posaçme gjatë seancës së drejtuar nga Flojera Davidhi e cila më 16 dhjetor do të vendosë nëse do të pushojë apo do të dërgojë për gjykim çështjen “Partizani”. *Avokati Genc Gjokutaj tha se gjykata vlerësoi se nuk ekzistonin më kushtet për një masë arresti të tillë ndaj liderit demokrat. Ndërsa i bëri thirrje SPAK-ut për reflektim. *Prokuroria e Posaçme nga ana tjetër nuk ishte dakord me vendimin e GJKKO dhe bëri me dije se do të revokojë vendimin. *Duke qenë se vendimi është i zbatueshëm duke nisur nga dita e sotme, Sali Berisha rikthehet në selinë e PD-së në orën 13:30 pas 11 muajve mungesë.
Si e ka pritur Edi Rama lirimin tuaj? Ja si përgjigjet Sali Berisha
Pas lirimit kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbajtur një konferencë me gazetarët në sallën ‘Azem Hajdari’ në selinë e PD.
I pyetur se si e ka pritur lirimin e tij kreu i qeverisë Edi Rama ai u shpreh se është i gatshëm në një përballje me të.
“Ai tmerrohej nga dritarja, imagjino në fushë. S’del dot ai. Të vijë në debat televiziv, po ia mbajti. Pse e mori atë masë? Që të më heshte dhe pastaj të mbante fjalime kushtuar dritares. Të vijë në debat, t’ia nxjerr të gjitha një nga një. Të gjitha lidhjet me krimin që ka, vjedhjet e mëdha që ka bërë, dhunimin e institucioneve.”, tha Berisha.
Pyetjes nëse do të takojë kreun e Partisë së Lirisë Ilir Metën dhe deputetin e PD-së, Ervin Salianjin në burg, Berisha u përgjigj se 'beteja për lirimin e tyre është e pandëprerë. ' Versus.al
“U krye edhe kjo punë”, Sali Berisha rikthehet në selinë e PD: Tani e tutje, veprimi do jetë kryefjalë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u rikthye në selinë blu pasi u lirua nga arresti shtëpiak 11 mujor me vendim të GJKKO. Në fjalimin e mbajtur para qindra mbështetësve të mbledhur në selinë blu plot Berisha tha se vendimi i sotëm e Flojera Davidhit, u jep shpresë shqiptarëve duke e cilësuar këtë si “ditë të mirë për demokracinë”.
“U krye edhe kjo punë. Piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane pas luftës së 2 botërore mori sot goditjen më fatale. Sot Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë. Sot është dita kur monstra e demokracisë Edi Rama dhe Xhorxh Soros dështuan përfundimisht në tentativën për të shkatërruar opozitën shqiptare. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët pas një kohe të gjatë që vendi ishte zhytur në errësirë. Sot është ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë. Sepse sot nuk ka fituar Sali Berisha, por kushtetuta”- u shpreh Berisha.
Ai tha se në vazhdim kryefjala e PD do të jetë veprimi. Ndërsa pati edhe falenderime për qytetarët që e mbështetën gjatë arrestit shtëpiak duke u mbledhur poshtë banesës së tij çdo natë. Një falenderim e bëri edhe për gjyqtaren Davidhi.
“Tani e tutje, veprimi do jetë kryefjalë e Sali Berishës, por ka ende disa mesazhe të rëndësishme të cilat dua t’ua them shqiptarëve. Falenderoj familjen time që mori një dozë të madhe të kësaj sacrifice. Falenderoj ata qytetarë të cilët qëndruan çdo natë poshtë banesës sime.
Falenderoj gjykatësen që nderoi ligjin dhe moralin e kushtetutës. Uroj që ligji dhe morali të udhëheqë çdo punonjës të shtetit shqiptar. U përpoqën të asgjësojnë politikisht Sali Berishën sepse vendosi të luftojë për ju. U përpoqën të fshinin pluralizmin. U sulmuam nga mafia më e rrezikshme në planet, mafia e Edi Ramës dhe George Soros. Nuk ka shumë opozita që t’ja dalin ndaj një sulmi të tillë, por ne ia dolëm triumfuam”- shtoi ai.
Ish-kryeministri u shpreh i sigurt se vendimi i sotëm është vijim i rrugës së duhur për ta sjellë opozitën në pushtet. Ndërsa pati edhe një thirrje për kryeministrin Edi Rama të cilit i kërkoi krijimin e një qeverie teknike për të pasur zgjedhje të lira në vend.
“Tashmë e kemi shtruar rrugën që do sjellë PD-në dhe opozitën shqiptare në pushtet. Na përçanë dhe u bashkuam. Të gjithë deputetët sot janë bashkë, janë në këmbë. Na vodhën flamurin e partisë, por ne e fituam sërish. Sot kemi mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që kemi patur ndonjëherë.
Kam edhe një fjalë të fundit për autorin e grushtit të shtetit. Krijo qeveri teknike, mos e zvarrit kot narkopushtetin tënd se vetë Zoti e ka thënë që të kthehem unë pastroj shtëpitë, ne do pastrojmë shtëpinë tonë. Me ndihmën e Zotit dhe besimin në vlerat tona. Krijo qeveri teknike se mosbindja civile është gati në radhë. Këta njerëz do kenë liderin e tyre me vete. Piramida jote e mashtrimit sot u shkërmoq përfundimisht. Do përgjigjesh për grushtin e shtetit dhe për atentatin kundër meje”- tha Berisha në mbyllje të fjalës së tij.
Pas fjalimit, kryedemokrati u fut në seli ku do të zhvillohet edhe mbledhja e grupit parlamentar për vijimin e mëtejshëm të mosbindjes civile. Versus.al
Lirimi i Sali Berishës nga arresti shtëpiak, reagon Ilir Meta

Ilir Meta nga burgu i ka dërguar përshendetjet më të përzemërta Sali Berishës pas lirimit të tij nga arresti shtëpiak.
Në veçanti shkruan kreu i Partisë së Lirisë 'dua të përshendet Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall nongrata sepse gjithmonë kam qenë I bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizmin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.'
Gjithashtu Meta shpreh mirënjohje dhe për Gjykatën e Strasburgut që e klasifikoi rastin ‘Berisha’ si një rast të rëndësishëm.
Statusi i Ilir Metës:
Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës!
Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizmin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.
Mirënjohje të jashtëzakonshme edhe për Gjykatën e Strasburgut, që si asnjëherë tjetër, e ka klasifikuar rastin "Berisha" si "leading case", pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme.
Desorosifikimi drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare./Versus.al
GJKKO e liroi nga arresti, zbardhet veprimi i parë i Sali Berishës pas vendimit
Pas 11 muajve në arrest shtëpiak, kryedemokrati Sali Berisha për herë të parë do të shkojë sot në selinë e Partisë Demokratike.
Mësohet se ish-kryeministri nuk ka preferuar të humbasë kohë dhe ka njoftuar se do të jetë në selinë blu sot në orën 13:30 pasi vendimi i GJKKO për heqjen e masës së arrestit është i zbatueshëm duke nisur nga sot.
Në deklaratën e dhënë për medat, avokati i tij Genc Gjokutaj tha se u masat ndaj Berishës ishin të panevojshme në kushtet aktuale. Versus.al
Sali Berisha lirohet nga arresti shtëpiak
Ish-kryeministri Sali Berisha nga sot nuk është më në arrest shtëpiak. Pas rreth 11 muajsh nga vendimi që e mbylli në katin e 8-të të banesës nga ku prej kohësh mban fjalimet e tij, tashmë kryedemokrati do të jetë i lirë nga kjo masë sigurie.
Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Flojera Davidhi gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme ku u revokua masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ishte kundër, duke kërkuar që masa ndaj kryedemokratit të mbetet në fuqi. Në dalje për mediat, avokati i tij, Genc Gjokutaj tha se nuk ekzistonin më kushtet për një masë të tillë, ndërsa i bëri thirrje SPAK-ut për reflektim.
“Nuk ekzistonin më kushtet dhe kriteret për një masë të tillë sigurie. SPAK të kthehet në retrospektivë sepse i ka hipur kalit për së mbrapthi. Nuk e di a do shkojë Berisha sot në zyrë”- u shpreh mes të tjerash avokati Genc Gjokutaj.
Që prej 30 dhjetorit të vitit 2023, Sali Berisha mbahej nën masën "arrest shtëpie" pasi nuk zbatoi masën e caktuar nga SPAK për "detyrim paraqitje" pasi akuzohet për korrupsion pasiv në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit "Partizani" ku janë marrë të pandehur dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë.
Gjatë qëndrimit në arrest shtëpie, Berisha nuk ndaloi komunikimet e tij me mbështetësit të cilëve çdo natë u drejtohej me fjalim nga dritarja e banesës së tij në rrugën “Mustafa Matohiti”. Dy ditë më parë nëpërmjet një dokumenti gjykata e Strasburgut njoftoi pranimin e kërkesës për shqyrtimin e padisë së bërë nga kryetari i PD, Sali Berisha kundër masës “arrest shtëpie” të kërkuar nga SPAK. Në padinë e Berishës pretendohej shkelje e të drejtave të njeriut.
Pavarësisht lirimit nga masa e arrestit shtëpiak, gjyqi ndaj Berishës dhe 4 të pandehurve të tjerë vijon dhe më 16 dhjetor është përcaktuar të mbahet seanca paraprake ku e njëjta gjyqtare, Flojera Davidhi do të marrë vendimin nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do të pushohet. Versus.al








