
Adriatik Lapaj, kreu i partisë “Shqipëria Bëhet” ka reaguar pasi policia njoftoi se ndaj tij ka nisur procedim penal për zaptim të hapësirës publike. Ai u shpreh se nuk ka bllokuar qarkullimin pasi protestën e nisur mbrëmjen e 8 dhjetorit po e bën në trotuar.
Duke e cilësuar si një “dekorim” procedimin penal, Lapaj u shpreh me ironi duke thënë se pas masave të policisë për të luftuar krimin, u morën me procedimin e tij duke thënë se ka bllokuar Tiranën.
“Mora vesh që më paskan dekoruar me një procedim penal se paskam bllokuar qarkullimin në Tiranë dhe lëvizjen e lirshme të njerëzve. E ka bërë këtë ai segment i policisë që i shërben Edi Ramës. Këta pasi luftuan fuqishëm me trafikantët e drogës, pasi bënë çdo gjë të ndalin ata që vrasin, pasi morën masa tek shkollat që të mos theren fëmijët 14 vjeç, gjetën letër e bojë për të më proceduar mua penalisht se paskam bllokuar Tiranën. Një meme e madhe ky kryeministër, një meme e madhe ky shtet”- u shpreh Lapaj.
Ndërsa tha se protesta e tij simbolike ka si qëllim të ndërgjegjësojë njerëzit që të protestojnë kundër skandaleve të qeverisë, Lapaj tha se ka ndërmend që protestën ta vijojë edhe për ditë të tjera.
“Rezistenca jonë ndërgjegjëson njerëzit dhe fillon e bllokon hajdutët e tij që të mos vjedhin paratë me të cilat bëhen lekët e rrugëve, lekët e porteve, lekët e aeroporteve. Nuk trembem fare unë. Me shumë gjasë unë do të rri gjatë këtu” u shpreh Lapaj ndër të tjera. Versus.al


